Sali Berisha këtë të martë ka pritur në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Mal Berisha, së bashku me disa personalitete të jetës akademike nga Kosova.
Në një postim të shpërndarë në rrjetin social Facebook, Mal Berisha thotë se “burrat e mëdhenj të Kosovës nuk e harrojnë kurrë Prof. Dr. Sali Berishën, njeriun që mbi gjithçka vuri çështjen e Kombit Shqiptar dhe çlirimin, ndërtimin e shtetit, njohjen e pavarësisë dhe demokratizimin e Republikës së Kosovës”.
Për ish-kryeministrin, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar ky takim përbën edhe një shkelje të urdhër-arrestit që gjykatat në vend kanë lënë në fuqi për të.
Vetë Sali Berisha nuk ka bërë asnjë postim për këtë takim, por vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që lideri i opozitës “thyen” urdhër-arrestin që i ndalon takimet me të tjerët, përveç familjarëve që jetojnë me të.
Shkelja e parë e masës së sigurisë ishte kur Berisha priti në shtëpinë e tij gazetarët e RAI 3, të cilët e bënë pjesë të dokumentarëve investigativë që publikuan për qeverinë Rama.
Më pas një vizitë e ish-eurodeputetit gjerman të CDU-së, Elmar Brok pasoi më 14 Maj, me këtë të fundit që nga dritarja e shtëpisë së kryeministrit mbajti edhe një fjalim për protestuesit në “Rrugicën e Shpresës”.
Në fillim të muajit korrik, Berisha priti në banesë ish-kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu dhe bashkëshorten e tij, me imazhet që u shpërndanë nga stafi i këtij të fundit.