16 të rinj nga Dibra përfunduan me sukses një kurs 8-mujor për kodimin, përmes të cilit arritën të zgjeronin njohuritë dhe kompetencat teknike në fushën e programimit, ndërsa realizuan edhe seanca trajnimi me këshilluesit e karrierës.
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për të rinjtë që ndoqën këtë kurs intensiv ishte e pranishme Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, si dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
Në bisedën me të rinjtë, Zëvendëskryeministrja Balluku tha se është e rëndësishme që njohuritë dhe dijet që ata përfituan nga ky kurs tashmë të vihen në zbatim.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha dijet që morët t’i vini në zbatim, sepse nuk ka qenë një kurs i thjeshtë disa javor, ka qenë pothuajse një vit i tërë shkollor. Ju jeni impenjuar, keni investuar, qeveria ka investuar, donatorët kanë investuar, ka pasur impenjim edhe nga trajnerët, kështu që ju duhet patjetër që këto dije që morët të filloni t’i vendosni në jetë”, thotë si fillim Balluku. Zëvendëskryeministrja shtoi më tej se për Qeverinë Shqiptare inovacioni ka një vëmendje të veçantë. Në këtë drejtim është ngritur edhe Agjencia e Inovacionit e cila tashmë ka nisur të japë edhe rezultatet e para.
“Duke pasur parasysh këtë prioritet të Qeverisë Shqiptare për t’i dhënë inovacionit zë, për ta mbështetur me logjistikë dhe infrastrukturë, duke mbushur radhët me të rinj dhe të reja, unë do të thoja që pikërisht kjo nukël prej 16 dibranësh të ketë mundësi që të fillojë dhe të ushtrojë dijet që mori edhe pranë bashkisë, edhe pranë institucioneve shtetërore, edhe vetë ju si individë me ide të reja me start-up”, përfundon Balluku.