Mesditën e 22 gushtit, një avion i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, u pa në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Ky zhvillim ka ngritur pyetje mbi arsyen e ndalesës së tij në Kosovë, pasi vizita nuk është konfirmuar nga ambasada amerikane në Prishtinë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa një autokolonë, e shoqëruar nga Policia e Kosovës, u pa duke u larguar drejt Prishtinës.

Ky avion besohet të ketë transportuar Burnsin nga Sarajeva në Beograd, dhe më pas fluturoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund, ndaloi në Kosovë.

Burns kishte zhvilluar takime në Sarajevë me zyrtarët e inteligjencës së Bosnjës, anëtarët e Presidencës dhe Ministrin e Jashtëm. Më 21 gusht, ai shkoi në Beograd, megjithatë, vizita e tij nuk u konfirmua nga autoritetet serbe ose amerikane.

Kjo vizitë ndodh në një kohë të tensionuar, pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se SHBA-ja është sfiduar nga disa veprime të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti. Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Washingtonin dhe partnerët ndërkombëtarë.

Vizita e Burnsit në Ballkanin Perëndimor vjen në një moment kur shqetësimet për ndikimin rus në rajon janë në rritje. Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka paralajmëruar se Rusia po bën një luftë hibride në rajon, duke shtuar se prania e zyrtarëve të lartë amerikanë është një tregues i rëndësisë së këtyre zhvillimeve për sigurinë rajonale.

Burns, një figurë kyçe në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, ka një histori të gjatë diplomatike, përfshirë postin e ambasadorit të SHBA-së në Rusi. Ai u emërua drejtor i CIA-s në janar të vitit 2021.