Ish-zëvendës ministri rus i mbrojtjes është arrestuar sot nga administrata e Putin, në episodin më të fundit të asaj që duket si një fushatë kundër abuzimeve në elitën e ushtrisë së vendit, ose e zyrtarëve të lidhur me ish-ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu.
Ish-zëvendës ministri Pavel Popov përballet me deri në 10 vjet burg nëse provohen akuzat e mashtrimit, njoftonin mediat ruse, të cilat shtonin se paraburgimi fillestar është caktuar deri më 29 tetor.
Çështja kundër Popov lidhet me aktivitetet e biznesit në një impjant të kontestuar ushtarak pranë Moskës që është quajtur më parë nga mediat “parku i lodrave të ushtrisë ruse”, duke iu referuar abuzimeve.
‘Parku i Patriotve’ ka qenë në fakt një projekt i nisur nga ish-ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu, me qëllim frymëzimin apo indoktrinimin e të rinjve me armatimet dhe pajisjet ushtarake sovjetike e ruse.
Në të kishte poligon, bazë ajrore, muzeume ushtarake dhe një kishë për forcat e armatosura, të dekoruar me mozaikë të ushtarëve rusë e sovjetikë. Por kohët e fundit impjanti ishte vënë në vemendje të mediave për abuzime financiare nga zyrtaret.
Popov bëhet figura e tetë e lartë e ushtrisë muajt e fundit, që arrestohet me akuza përvetësimi, rryshfeti e abuzimi, pas zv. ministrit Timur Ivanov, dhe të tjerëve që po ndalohen pas zëvendësimit nga Putin të kreut të mbrojtjes Shoigu, me ministrin ekonomist Andrei Belousov.