Punëtorëve në Mbretërinë e Bashkuar mund t’u jepet e drejta të kërkojnë një javë pune katër-ditore me të njëjtin numër orësh pune, sipas propozimeve të qeverisë së re laburiste në Londër për punë fleksibël.
“Mund të punosh, për shembull, 10 orë në ditë për katër ditë në vend të tetë orësh në ditë për pesë ditë në javë. Kështu që ju ende bëni të njëjtën sasi pune, por mund t’i kushtoni më shumë kohë familjes tuaj, jini me fëmijë apo bëni aktivitete të tjera”, tha ministrja e Arsimit e Britanisë së Madhe, Jackie Smith.
Sipas saj, orari fleksibël i punës është në të vërtetë i mirë për produktivitetin, raporton Guardian. Ministrja mohoi se qeveria në Londër dëshiron t’ua imponojë këtë sistem pune kompanive dhe pretendimi i saj u përsërit nga zëdhënësi i qeverisë.
“Ne nuk planifikojmë të imponojmë një javë pune katërditore për punëdhënësit apo punonjësit. Të gjitha ndryshimet në ligjin e punës do të zbatohen në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit”, shtoi zëdhënësi.
Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Biznes dhe Tregti tha se do të japë detaje të mëtejshme mbi propozimin brenda 100 ditëve.