Real Madrid u ngjit në majën e Europës për herë të 15-të në histori. Përveç suksesit që konfirmoi Los Blancos si skuadrën më të mirë në Europë, ekonomia vetëm sa vjen e rritet. Në bazë të asaj që shkruan Mundo Deportivo, rritja financiare e arritur nga madrilenët pas triumfit në Champions League do të jetë më e madhja në historinë e tij. Real Madrid do të nisë sezonin e ri në kompeticionin më të rëndësishëm për klube me një fitim prej 140 milionë euro, shifra rekord.
Për kualifikimin në këtë edicion të Champions League, UEFA i caktoi Real Madridit 36.38 milionë euro për të ashtuquajturën renditje të koeficientit historik, ndërsa 15.64 milionë euro vijnë për pjesëmarrjen në fazën e grupeve. Pasi dolën të parët në grup, ekipi i Ancelottit “rrëmbeu” 16,8 milionë euro.
Kualifikimi në 1/8 solli 9.6 milionë, prerja e një bilete në ccerekfinale siguroi 10.6 milionë, gjysmëfinalja 12.5 milionë, ndërsa finalja 15 milionë euro. Në fund, çështja e sponsorizimeve dhe të drejtave televizive mbushi xhepat e kampionëve të Europës edhe me 20 milionë euro. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe finalja e Superkupës së Europës ndaj Atalantës me 14 gusht, sido të shkojë ndeshja, Reali arkëton 3.5 milionë euro.
Shifra me të vërtetë të jashtëzakonshme, që tregon edhe një herë se gjigandët spanjollë janë klub mbretëror edhe në aspektin ekonomik.