Një rrjet prostitucioni që drejtohej nga një shtetase kineze në mes të Tiranës, është zbuluar nga policia.

Sipas informacioneve nga blutë, shtetaset kineze 52 vjeçe, e arrestuar dhe një 38 vjeçare, e shpallur në kërkim, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja N. D., me anë të shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15 000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.
Po ashtu u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni.