Serbët kanë protestuar të mërkurën në kundërshtim të hapjes së Urës së Ibrit.
Ata u mblodhën në afërsi të urës që ndanë qytetin e Mitrovicës për të paraqitur mospajtimin e tyre.

Nikolla Kabashiç, ish-gjyqtari i Gjykatës së Mitrovicës, u shpreh: “Unë do t’ju ftoj në një plebishit, sepse tani jeni të gjithë këtu. Unë do t’ju pyes se kush është pro hapjes së urës dhe unë do t’ju pyes se kush është pro mos hapjes së urës. Të gjithë i ngritën duart lart. Regjistroni këtë, gazetarë. Nuk është në interesin tonë, nuk ndihemi të sigurt. Askush nuk mund të flasë për pajtim. Për çfarë lirie lëvizjeje po flasim kur na pret një patrullë policie çdo pesë apo dhjetë metra? Për këtë mund të flasim vetëm në Bruksel”. Qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës pretendojnë se janë në rrezik nga veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ivan Milojeviç, drejtor i Postës së Serbisë, tha: “Ata duan të hapin urën. Unë si drejtor i Postës shoh që e vetmja rrugë është të qëndrojmë bashkë dhe t’i kundërshtojmë. Unë e di se çfarë do të bëj nëse Kurti hap urën. Do të qëndroj pa lëvizur dhe do të shtrihem në asfalt. Me hapjen e urës, ai bën vetëm përndjekje të mëtejshme ndaj nesh”. Pas protestës së serbëve ekipet e kontraktuara nga institucionet e Kosovës për testimin e Urës së Ibrit dolën në teren. Me ta ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që tha se po kryhen punët para hapjes. Hapjen e urës e ka kundërshtuar bashkësia ndërkombëtare.