Nga Mero Baze
Tri ditë pas vrasjes barbare të një të qytetari në Pogradec, debati publik po ngushtohet tek përgjegjësia e drejtësisë në qasjen ndaj këtij krimi.
Kryeministri Edi Rama ka bërë publike provat që Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare kanë vepruar konform ligjit dhe e kanë referuar vrasje me dashje krimin, çka përbën formalisht një lehtësim për institucionet shtetërore, ndërsa Prokuroria e Gjykata po përpëliten të ndëshkojnë inspektorët për të shpëtuar veten.
Paralelisht me këtë, Policia e Shtetit ka nisur dhe debatin mbi përgjegjësinë e gazetarëve që dezinformuan për rastin në fjalë, duke lënë të kuptojë se do ta hetojë deri në fund këtë rast.
Dhe tani gati të gjithë po e harrojnë vrasjen dhe po merren me këtë çështje. Madje dhe vet kryeministri.
Është e vërtetë që nën dritën e fakteve të reja, raportimet e medias nuk duken aq korrekte, por kjo nuk e bën në këtë rast median fajtore. Media është fajtore kur shpik fakte apo raporton fakte abuzivë me objektiv gjobëvënien apo qëllime kriminale.
Në këtë rast kemi të bëjmë me një interes publik dhe hallakatjet e medias në fakte të pavërteta, në adresë të policisë, nuk kanë pas qëllim kriminal. Maksimumi janë keqpërdorur nga Sali Berisha për qëllime politike, por kjo është traditë e pranuar nga drejtësia e politika.
Zhurma e medias qoftë dhe me fakte të pavërteta bëri që në ditën e tretë të gjithë të jemi të qartë për atë që ka ndodhur dhe për përgjegjësinë e drejtësisë në këtë rast. Po të mos fliste e shkruante media, në pritje të fakteve të vërteta, i ndjeri do quhej ende që ka vdekur se është rrëzuar nga pirja, siç u paraqit fillimisht.
Ndaj nuk jemi në rastet kur media dezinformon me qëllime kriminale. Tejkalimi i së drejtës së medias për interes publik, është një e drejtë e lejuar për të dhe me dhjetëra vendime të Gjykatës së Strasburgut.
Nuk jemi në kushtet ku ndonjë portal i vë gjoba një biznesmeni apo zyrtari dhe ka shpikur diçka. Jemi në kushtet kur dikush ka vdekur dhe e vërteta po varrosej bashkë me të.
Ndaj normal që mund të thuhet lirshëm që media ja ka futur kot dy ditë, por falë medias ne sot jemi të qartë për të vërtetën.
Prandaj në këtë pikë, të vetmit që mund të hetohen janë inspektorë të mundshëm të policisë apo OPGJ, nëse kanë dezinformuar median që të shpëtojnë pisllëkun e tyre. Media ka qenë në të drejtën e saj.
Përdorimi politik i asaj situate nga Berisha me qytetarin digital, është një keqinformim kriminal për qëllime politike dhe s’ka lidhje me median. Atë mund ta hetoni, por ai ka 11 vjet që e bën atë punë dhe po u dënua për një rast, duhet të dënohet për të gjitha. Kështu që lëreni dhe atë majë penxheres aty ku është.
Këto janë “shpifjet” më të dobishme që media ka bërë kohët e fundit. Nuk i kanë prishur punë askujt, veç atyre që tentuan të manipulojnë ngjarjen.