Për të disatin vit me radhë, turistët italianë e kanë bërë Shqipërinë dhe plazhet e saj si zgjedhjen e tyre të parë të pushimeve.
Kjo ka ndikuar që në vendin fqinj të ulen çmimet. Përmes artikulli të gjatë prestigjiozja italiane “Corriere Della Sera” veçon plazhet e Milano Marittima, një fshat i Cervias në provincën e Ravenës, i njohur për turizmin.
Ndryshimet e viteve të fundit, shkuan Corriere, i kanë detyruar bizneset e turizmit në këtë fshat të zhytur mes detit e pishave të ulin çmimet. Turistët italianë po shihen aty gjithnjë e më pak. Në fund të korrikut dhe në këtë fillim gushti, për të qëndruar në plazhet me rërë një shezlong kushton vetëm 10 euro.
Fshati që u popullua dhe ndërtua nga milanezët e vjetër në vitet 1900, sot vuan mungesën e turistëve vendas. Ndonëse ka qenë një plazh që frekuentohej nga shtresa e mesme e popullsisë italiane, duket se edhe ata e kanë braktisur për shkak të largësisë, shkruan Corriere. Që të mbërrish në Milano Marittima duhet më shumë se tre orë e gjysme, trenat dhe autobusët janë të vjetër.
I ndërtuar mbi filozofinë milanezë, vendasit atje ruajnë me fanatizëm hotelet e vjetra, që trashëgohen brez pas brezi nga të njëjtat familje dhe që nuk kanë asnjë lidhje me ndërtesat e reja dhe moderne si plazhet e zonës ballkanike të Adriatikut, si Kroacia e më së shumti Shqipëria që po i josh turistët italianë. Për ta, shkruan Corriere della sera, ndër të tjera Shqipëria nuk është kthyer vetëm në një dashuri vere, por në një vend ku edhe investojnë për të blerë shtëpi e për t’u kthyer në çdo stinë.