Champions League e sezonit 2024/2025, ende pa nisur si duhet me formatin e saj të ri, ka marrë të gjithë vëmendjen e mediave. Jo për atë që ekipet kanë dhuruar në fushë në raundet kualifikuese, por për atë çka ndodhur në Lublin, aty ku u luajt ndeshja mes Dinamos së Kievit dhe Rangers.

Dyshja e arbitrave që duhet të ndodheshin në dhomën e VAR për këtë sfidë kanë përfunduar në pranga. Polakët Bartosz Frankowski dhe Tomasz Musial, u arrestuan rreth orës 02:00 të mëngjesit pasi gjatë një kontrolli u konstatua se kishin konsumuar alkool.

TVP Sport raporton se dyshja polake u ndalua natën mes të hënës 5 dhe të martës 6 gusht në Lublin, vendi neutral i përzgjedhur për ndeshjen mes ukrainasve të Dynamo Kievit dhe skocezëve të Rangers.

Situata e tyre tërhoqi vëmendjen e policisë pasi po ecnin nëpër rrugët e qytetit me një person të tretë dhe një tabelë rrugore të vjedhur në krah. Frankowski dhe Musial sipas testimeve kishin një nivel shumë të lartë alkooli në gjak, përkatësisht me normat 1.7 dhe 1.8.

Lajmi për arrestimin e tyre ka tronditur edhe UEFA-n, me qeverinë europiane të futbollit që veproi menjëherë duke i zëvendësuar dy arbitrat, me bashkatdhetarët Kwiatkowski dhe Malec në ndeshjen e Champions League.

Federata Polake e Futbollit njoftoi se kishte nisur hetimin e rastit dhe pritet një vendim i ashpër ndaj të dyve, teksa përkohësisht janë pezulluar në pritje të hetimeve. Nëse akuzat konfirmohen të dy arbitrave mund t’u ndërpritet kontrata me federatën dhe UEFA-n.