Ola Mitre / SCAN
Brenda fondit kullosor të lejohet ndërtimi i centraleve diellore dhe atyre të erës. Kërkesa vjen nga deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali e cila ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për fondin kullosor”, ku shtohet lejimi i veprimtarive që lidhen me prodhimin e energjisë së rinovueshme e që aktualisht janë të ndaluar për t’u zhvilluar brenda këtyre sipërfaqeve.
Sipas deputetes, ndryshimi i propozuar bazohet në kërkesat e bëra për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike në fondin kullosor. “Është konstatuar në disa raste se lloji i pasurisë ku është propozuar të zhvillohen këto veprimtari është i tipit kullotë, ndërkohë që legjislacioni në fuqi për kullotat nuk e ka parashikiuar aktualisht ushtrimin e kësaj veprimtarie”, – thuhet në relacion. “Kjo, nisur edhe nga fakti që ky ligj është hartuar që në vitin 2007 dhe duhet të përshtatet me zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në burime alternative”, – shtohet më tej.
Sipas propozimit, për ndërtimin e centraleve diellore dhe atyre të erës brenda këtyre sipërfaqeve duhet të kërkohet vetëm leja e organit që e ka miratuar aktivitetin, sipas parashikimeve në aktet ligjore në fuqi për energjinë e rinovueshme.