Nga Hermes Kafexhiu
Të gjitha janë thënë këto ditë aq sa kanë nisur të ‘stërthuhen’. Historitë e gangesterëve do t’i përndjekin qytetet, siç i kanë përndjekur. Disa do të frenohen dhe disa prap do të vazhdojnë. Kjo botë kështu e ka, ca zgjedhin të keqin dhe ca të mirin. Patetizmat e moralit më shumë do të ishin të dëmshme për të bërë shpjegime në ksi ngjarjesh, që përvec se janë tronditëse janë dhe të trishta.
Janë ngjarje që e bëjnë njëriun të ndihet i pafuqishëm, i pasigurt dhe mbi të gjitha të ndihet sikur jeton në një absurd sa mund t’i thotë vetes “ore ne budallenj jemi”.
Në botën e zhvilluar kjo fjali i thuhet vetes shpesh përsa kohë njerëzit më shumë preferojnë se arsyetojnë, po kjo do donte një studim dhe jo një shkrim me pak rreshta.
Nuk ka pikë dyshimi që policët e përfshirë në ngjarjen e rëndë të Pogradecit ku mbeti i vrarë babai i dy fëmijëve, janë fajtor apo dhe gjithë ata që janë përfshirë rrotull nga frika apo për të ruajtur kodin “e të fortëve”.
Gjobëvenia është prej kohësh është një taksë e zezë që përndjek biznese, ajo taksë paguan policë, prokurorë, funksionar, lloj e soj të tillë që kanë bërë betim me veten se kësaj jete i kanë hyrë për të shtypur dhe jo për tu rritur.
Lekët e xhiros vranë herën e parë këtë baba fëmijësh që ra kruspull mes të rrugës aty ku ca njerëz shkuan ta ndihmojnë dhe ca të tjerë kishin frikë ta ndihmonin.
Po ai sot vdiq për të dytën herë, edhe pse u duk sikur u ngjall për një çast për të na rrëfyer se vdekjen e tij po tentonin ta fshinin dhe doli që nuk e fshehën dot. U duk sikur u ngjall për të na rrëfyer se lekët “doja t’i çoja në shtëpi po ata donin të mi merrnin” dhe mbi të gjitha u çua dhe na tha, se ja ishte ky i fortë që vërtitej Pogradecit pa i hyrë gjembë në këmbë dhe hynte nëpër lokale si një Montana i vockël që ende nuk e kishte “përpirë liqeni”.
Një prokurore që kush e di si do i ketë shpëtuar sitës së reformës, si një relike e harruar në një provincë bën fajin e radhës.
Ajo bën një vrasje mbi vrasje duke dhënë akuzën “vrasje nga pakujdesia”.
Nuk e di si mund të vritesh nga pakujdesia, kur është tentuar fshehja e krimit, kur e ke dhunuar dhe e kë lënë në rrugë të dhunuar. Një vrasje nga pakujdesia ndodh kur mund të të shpjerë vetë dhunuesi në spital të shpëtosh, e ndodh për fat të keq të vdesësh.
Për besë kjo ishte vrasje e dytë!