Sven-Goran Eriksson i dha një mesazh prekës lamtumire botës. Ish-trajneri i Lazios dhe i kombëtares së Anglisë, ndër të tjera, i cili fitoi titullin e Serie A në sezonin 1999-2000, njoftoi janarin e kaluar se po luftonte me një tumor, që kishte arritur në fazë terminale.
Suedezi pranoi se kishte, në rastin më të mirë, edhe një vit jetë. Nga ai njoftim, Eriksson filloi një seri të gjatë udhëtimesh në të gjithë Europën.
Në Itali u mirëprit ngrohtësisht nga Sampdoria dhe Lazio. Në Angli përmbushi një ëndërr të tij, të ulej në stolin e Liverpool-it në një ndeshje mes legjendave të klubit të kuq dhe Ajax-it.
Në një dokumentar të “Amazon Prime”, të titulluar “Sven”, ish-trajneri i Lazios i ka dhënë lamtumirën botës.
“Kam pasur një jetë të mirë, po, – pranoi Eriksson. – Mendoj se të gjithë kemi frikë nga dita kur vdesim, por duhet të mësosh ta pranosh atë.
Në fund të fundit ka rëndësi të kesh qenë njeri i mirë në këtë botë. Jo të gjithë do ta thonë këtë për mua, por shpresoj të më kujtojnë si një njeri pozitiv”.
Mesazhi i Eriksson është rrëqethës:
“Mos kini keqardhje, buzëqeshni! Faleminderit për gjithçka: trajnerë, lojtarë, tifozë! Ishit fantastike. Kujdesuni për veten, kujdesuni për jetën tuaj dhe jetojeni atë. Deri në fund”.