“Vendimi i Ukrainës për të sulmuar territoret ruse ka humbur një mundësi të artë për të arritur një paqe midis Moskës dhe Kievit”.
Kështu shkruan media e njohur amerikane “Washington Post”, sipas burimeve të saj ekskluzive. Ukraina dhe Rusia kishin rënë dakord për të dërguar delegacione në Doha të Katarit këtë muaj për të negociuar një marrëveshje historike që ndalon goditjet në infrastrukturën e energjisë elektrike nga të dyja palët, thanë diplomatë dhe zyrtarë të njohur me diskutimet, citon “Washington Post”.
Por bisedimet indirekte, me përfaqësuesit e Katarit që shërbejnë si ndërmjetës dhe takohen veçmas me delegacionet ukrainase dhe ruse, u prishën nga inkursioni i papritur i Ukrainës në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë javën e kaluar, theksojnë zyrtarët ukrainas për Washington Post.
Në përgjigje të pyetjeve nga The Washington Post, zyra presidenciale ukrainase tha në një deklaratë se samiti në Doha u shty “për shkak të situatës në Lindjen e Mesme”, por ai do të zhvillohej në një format video-konference më 22 gusht, pasi të cilin Kievi do të konsultohej me partnerët e tij për zbatimin e asaj që u diskutua. Kremlini nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë për këtë histori.
Ndërkohë, Ukraina ka vijuar me sulmet në territorin e Rusisë. Në sulmin e fundit në qarkun Glushkov të Kurskut, forcat ukrainase kanë shkatërruar një urë kyçe për atë rajon.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se forcat ukrainase kanë përdorur raketa të prodhimit amerikan për të shkatërruar urën. Përmes një postimi në Telegram, Zakharova theksoi se, Kursku është goditur për herë të parë me raketat amerikane HIMARS.
Shefi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, ka bërë të ditur se forcat e Kievit po përparonin midis 1 dhe 3 kilometra në disa zona në rajonin e Kurskut, 11 ditë që nga fillimi i një inkursioni në Rusi. Kyiv ka pretenduar se ka marrë kontrollin e 82 vendbanimeve në një sipërfaqe prej 440 milje katrorë në rajon që nga 6 gushti.