Uragani Debby ka prekur rajonin Big Bend të Bregut të Gjirit të Floridës, SHBA, me frikën e stuhive dhe përmbytjeve katastrofike. Së fundmi, sistemi i motit u forcua në një uragan të kategorisë së parë dhe doli në breg pranë Steinhatchee, ka njoftuar Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC).
Tani parashikohet të lëvizë ngadalë në të gjithë shtetin, i shoqëruar nga erëra me shpejtësi 128 km/h. Bëhet e ditur se stuhia e katërt e sezonit do të kaplojë gjithashtu Gjeorgjinë dhe Karolinën e Jugut në ditët në vijim, shkruan BBC.
“Natyra e ngadaltë e stuhisë mund të nënkuptojë sasi historike të reshjeve”, tha Jamie Rhome, zëvendësdrejtori i qendrës së uraganeve.
“Po flasim për përmbytje katastrofike”, shtoi Rhome. Siç raportohet, tashmë erërat e forta të stuhisë po prekin banorët e Floridës – rreth 204,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.
Debby pritet të ngadalësojë në mënyrë dramatike intensitetin e tij në Florida. Kjo do ta lërë uraganin të dalë ngadalë mbi Atlantik si një stuhi tropikale ku do të shpërthejë mbi oqean, duke hedhur pamëshirshëm breza shiu në Gjeorgjinë juglindore dhe në Karolinë.
Reshjet historike ka të ngjarë të çojnë në zona me përmbytje katastrofike, të përkeqësuara nga një stuhi përgjatë bregut, e cila mund të lërë ujin të bllokuar në sistemet e lumenjve dhe të paaftë për të derdhur në oqean. Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) ka lëshuar paralajmërimin e saj më befasues deri më tani për sezonin aktual.
Ajo ka deklaruar se mund të ketë deri në 25 stuhi të emërtuara në vitin 2024, 8-13 prej të cilave mund të shndërrohen në uragane. Sakaq, uragani Betty shënon stuhinë e katërt të vitit pas stuhisë tropikale Alberto, uraganit Beryl dhe stuhisë tropikale Chris.