Një emigrant brazilian që jeton në Spanjë është cilësuar si hero pasi rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar një fëmijë të vogël, i cili ishte varur nga një ballkon i katit të dytë në qytetin bregdetar të Alicante dhe rrezikonte të rrëzohej.

Felipe David Souza, një piktor 29-vjeçar, po përgatitej të shkonte në shtëpi të mërkurën kur dëgjoi britma jashtë banesës ku po punonte.

Ai hodhi një vështrim jashtë dhe pa se një turmë njerëzish ishte mbledhur në rrugë.

“Pashë një djalë të vogël me gjysmën e trupit jashtë”, u tha më Souza gazetarëve.

Fëmija gjashtë vjeçar në dukje ishte ngrirë nga frika në parmakët e ballkonit, me njërën këmbë të varur.

Videoja e filmuar në vendngjarje tregon Souza duke lëvizur me shpejtësi mbi parmakët e ballkonit, e duke u kapur fort pas shinave të dritareve, teksa ecte përgjatë parvazit të ngushtë drejt fëmijës.

VIDEO

“E bëra pa menduar,” tha ai.

Pronari i një kafeneje aty pranë, Inés Su, ishte në mesin e atyre që shikonin me ankth shpëtimin nga poshtë. Fqinjët kishin thirrur policinë dhe kishin filluar të nxirrnin jastëkë në rrugë në rast se fëmija binte, u tha ajo gazetarëve.

Souza tha se ishte i shqetësuar se e mos afrimi i tij do ta trembte fëmijën dhe ai mund të rrëzohej.

“Unë po e shikoja fëmijën për ta mbajtur të qetë, duke dashur që të mos lëvizte,” tha ai. “Është një distancë e shkurtër, por ndjehej kaq e gjatë.”

Souza tha se ishte falënderuar nga prindërit e tronditur, të cilët i thanë se ishin duke fjetur kur fëmija arriti të hapte dritaren dhe të rrëshqiste brenda pak sekondash.

“Jam shumë i lumtur që fëmija është i sigurt,” tha Souza.

Të enjten, një zyrtar nga këshilli i qytetit të Alicante i tha Souza-s se bashkia po planifikonte të njihte trimërinë e tij në një ceremoni çmimesh në nëntor.

“Rrezikove jetën për të shpëtuar atë të të miturit”, i tha këshilltari Julio Calero, duke e përshkruar ndërhyrjen e Souzës si një “akt heroik me vlerë të pamatshme”.

Souza ka jetuar në Spanjë për nëntë vjet, tha ai për faqen lokale të lajmeve Información.es.

“Sigurisht, unë kam vuajtur racizëm në disa raste që kur kam ardhur, por ju nuk mund t’u kushtoni vëmendje këtyre gjërave”, tha ai.

Megjithatë, ai u shpreh se nuk kishte asnjë dyshim se do të bënte të njëjtën zgjedhje nëse do të përballej sërish me të njëjtën situatë.

“Sigurisht, do ta bëja 50 herë nëse do të duhej”, tha ai. “Unë jam vetë prind, kështu që gjithçka që mund të mendoja ishte që asgjë e keqe mos t’i ndodhte fëmijës.”