Nën masa të rrepta sigurie kandidati për president i SHBA-së, Donald Trump, mbajti fjalimin e tij të parë publik pas atentatit në korrik. Ajo që ra më shumë në sy ishte xhami mbrojtës anti-plumb rreth podiumit ku republikani mbajti fjalimin.
Më 13 korrik, gjatë një tubimi politik, Donald Trump i shpëtoi mrekullisht një atentati, teksa plumbi i preku veshin e djathtë.
Një burrë humbi jetën nga të shtënat, ndërsa dy pjesëmarrës të tjerë pësuan lëndime të rënda. I dyshuari kryesor, 20-vjeçari i quajtur Tomas Metju Kroks, u ekzekutua nga një snajper i Shërbimit Sekret.
Që atëherë, Trump ka marrë pjesë në një duzinë ngjarjesh, por vetëm në ambiente të mbyllura. Ai siguroi mbështetësit e tij në Pensilvani në fund të korrikut, duke thënë: “Ne nuk do të braktisim mitingjet tona në natyrë”.
Sipas protokollit standard për çështjet e sigurisë, Shërbimi Sekret zgjodhi të mos komentojë mbi masat e shtuara të sigurisë.
Trump, së bashku me zëvendësin e tij, Vance u takua me mbështetësit në një muze të aviacionit në Karolinën e Veriut. Kjo paraqitje në një shtet kyç shihet si një përgjigje ndaj Konventës Kombëtare Demokratike, ku kundërshtarja e Trump, Kamala Harris, do të marrë zyrtarisht nominimin si kandidate presidenciale.