Analisti Mentor Nazarko komentoi në emisionin “Ballkan Update”, vizitën e shefit të CIA-s, William Burns në Prishtinë, takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas me kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka thënë se gjithë vija lidhëse e të gjitha vizitave të Burns në Ballkan, është ultimatumi në Bosnjë, në Serbi dhe padyshim në Kosovë.
Sipas Nazarkos, Kurti është detyruar ta mbyll vizitën e tij në SHBA, pa takime të nivelit të lartë, në mënyrë që t’i jepet mesazhi në vetë të parë vetë atij nga Burns.
Sakaq, analisti ka theksuar se Kurtin nuk e sheh ‘non grata’, ndërsa vazhdon të jetë në detyrë.
“Diçka e rëndësishme mund ta ketë sjellë atë, kur SHBA janë në një fushatë që ka hyrë në intensitetin e saj më të lartë dhe cilat mund të jenë këto arsye? Një arsye e parë mund të jetë mundësia e përshkallëzimit të tensionit në secilin prej këtyre vendeve, sigurisht që Kosova ishte, është dhe mbetet një vatër potenciale.
Unë mendoj që gjithë vija lidhëse e të gjitha vizitave në Ballkan, Bullgaria ndoshta mund të veçohet për shkak të krizës së zgjatur parlamentare, është ultimatumi. Mendoj që ka pasur ultimatum në Bosnjë, ultimatum në Serbi dhe në Kosovë. Pra, ndaloni çdo veprim, i cili mund të përshkallëzojë tensionet në Kosovë, posaçërisht në Veri. Kushedi që si funksionojnë zyrat e shtypit të Kosovës, e di që shpesh ambasadat ndalojnë çdo lloj publikimi të fjalëve dhe të mesazheve të tyre të riformuluara nga zyrat e mediave të institucioneve të Kosovës pa lejen e tyre. Pra, është në kontroll para se të bëhet publike.
Por përtej kësaj, unë nuk e shoh të mundur që Kurti të jetë non grata ndërsa është në detyrë. Ajo ç’ka e bën të veçantë vizitën e Burns dhe që zoti Kurti nuk ka dashur t’i japi karakterin e ngritjes së nivelit të marrëdhënies së qeverisë së tij me SHBA, ishte pra kthimi i tij. Ai është detyruar ta mbyll vizitën e tij, pa takime të nivelit të lartë, që t’i jepet mesazhi në vetë të parë vetë atij. E dyta, duket dhe këtu kemi një reagim të Grenell, i cili e qorton dhe thotë çfarë po bëni? Në këmbim të ardhjes së Kurtit në Konventën Demokrate, ju po i jepni Kosovës 35 milionë dollarë që i keni patur të bllokuara dhe po i jepni një takim të nivelit të lartë. Unë mendoj që shefi i shërbimit sekret ka dëshiruar t’ia jap Kurtit mesazhin ultimativ në vetë të parë”, u shpreh Nazarko.