E shkuara kriminale, dhe përfshirja e tij në disa ngjarje të rënda, të ndodhura më herët, vështirëson punën e policisë për zbardhjen e atentatit ndaj Elis Rroshkodolit. 36-vjeçari u qëllua me breshëri armë mesditën e të premtes (30 Gusht), teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e Zdrales, ndërsa 14 prej 18 plumbave të zbrazur nga autori u gjetën në trupin e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Fill pas identifikimit të tij, puna e hetuesve u vështirësua, për shkak se Roshkodoli në të shkuarën ka qenë i skeduar, dënuar dhe shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale të ndodhura brenda dhe jashtë vendit.
Konfliktet e viktimës kanë nisur që kur ka qenë në një moshë të re ende pa i bërë 20 vjeç deri kur u qëllua për vdekje në atentatin mafioz të një dite më parë. Së fundi është zbuluar edhe një ngjarje për të cilën 36-vjeçari nuk është përmendur më herët. Bëhet fjalë për një plagosje të ndodhur në vitin 2010, ku Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu. Ky i fundit rezulton gjithashtu i dënuar dhe arrestuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin verior.
Po ashtu në vitin 2014, Rroshkodoli dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shkodran me mbiemrin Shema dhe një vit më parë është dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima.