Lautaro Martinez i ka dhënë fund të gjitha dyshimeve dhe pas disa muajsh negociata, ka hedhur firmën në kontratën e rinovuar me Interin. Zyrtarizimi ka ardhur nga klubi zikaltër, i cili ka bërë të ditur nëpërmjet fotove dhe postimeve në rrjetet sociale se kapiteni kishte zgjatur marrëveshjen ekzistuese.
Lautaro ka firmosur deri në vitin 2029 me zikaltrit, të cilët kanë përmirësuar kushtet financiare të akordit ekonomik me të. Futbollisti do të përfitojë 9 milionë euro neto në sezon deri në mbyllje të kësaj marrëveshje, një sakrificë që Interi ishte gati ta pranonte duke parë formën që po kalon dhe interesimin në rritje të klubeve të tjera të njohura europiane.
Më blindimin e Martinez, Interi sigurohet që kushdo që kërkon lojtarin, të jetë i detyruar që të trokasë në dyert e klubit pasi kjo kontratë afatgjatë i jep mundësinë zikaltërve të negociojnë qetësisht për një shitje të mundshme të tij.