Jane siguruar mesazhet që pretendohet se kanë shkëmbyer Ervis Martinaj dhe i ndjeri Erigers Mihasi, ku përmendet kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Disa ditë më parë, në të gjithë mediat janë përmendur disa mesazhe, që pretendohet se janë marrë nga bisedat në SKYECC mes Martinajt dhe Mihasit, ku mes të tjerave përmendet edhe Bardhi.
Në dokumentin që është dërguar dhe në emailit e disa mediave në vend, si dhe iu çua në aplikacionin “Signal” Bardhit, pretendohet gjithashtu se janë emrat e OPGJ-ve që i kanë firmosur, por emrat janë fshirë, duke ngritur hije dyshimi lidhur me vërtetësinë e këtyre mesazheve. Në biseda, i njëjti person që vetes i referohet si “Mbreti Zog” thotë se është Ervis Martinaj që i paguan Gazment Bardhit shumën prej 100 mijë eurove, të cilat ky i fundit do t’i përdorte në fushatë.
Personi nga ana tjetër, që pretendohet të jetë Mihasi, i thotë se shuma që po i dërgon është shumë e madhe, por ‘Martinaj’ thotë se këtë e bën si favor për Shkëlzen Berishën.
Edhe njëherë vërtetësia e këtyre mesazheve vihet në dyshim për shkak se nuk ka asnjë emër OPGJ-je, por në cep të fletës duket firma e tyre. Për shkak se emrat janë fshirë, kjo ngre dyshime lidhur me vërtetësinë e dokumentit, për të cilin tashmë Bardhi ka bërë një padi në SPAK. Kjo pasi të njëjtat mesazhe i kanë shkuar edhe atij, por në aplikacionin “Signal”, si shenjë “kërcënimi”, ndërsa në mesin e akuzave është dhe ajo për falsifikim të rëndë.
BISEDAT E PLOTA:
NP8LS4-Kodi i Ervis Martinajt në “SkyECC”
TI8I2F-Kodi i Erigers Mihasit në “SkyECC”
NP8LS4: Nga je?
TI8I2F: Në shtëpi
NP8LS4: Shkon dot deri tek të marësh 10 ml (milionë) euro. Ti çoje tek Mondiali dhe t’ja jepje Gaz Bardhit
TI8I2F: Po tani!
NP8LS4: 067****** numri i Gazit. Bani telefon në Signal kur të jesh aty që të ulet dhe ti marrë.
TI8I2F: Ok! Po pse po ju jep kaq shumëse këto s’do vijnë kurrë në pushtet
NP8LS4: Po ça ti bëj Zenit se për kyt s’po e rruj k****
TI8I2F: Se mos i don për kyt gjyqin se është zënë me dashnorin për qenin. Kush me e marr tani që janë ndarë
NP8LS4: Hahahah. Fola me të, i do për fushatë. I thashë dhe për grupin e shoqërimit që e paguaj unë. Kam shpërndarë edhe 5000 tv për fushatë. dhe shumë njerëzve ua kam fal borxhet vetëm për vota.
Por teksa ka publikuar bisedën që ka bërë me personin anonim, Bardhi ka zgjedhur që të mos i publikojë dokumentat që i ka dërguar personi në fjalë. Gjithashtu, për ngjarjen, ka vendosur në dijeni përveç SPAK, edhe ambasadën amerikane në Shqipëri, delegacionin e Bashkimit Europian dhe Ambasadën britanike. Ndërkohë që pritet që më shumë detaje të zbulojë në daljet e ardhshme publike, pasi sot opozita pritet që të shkojë në Kuvend.