Ditën e Premte më datë 6 Shtator 2024 u finalizua iniciativa Youth for Climate: Edicioni i Tiranës, një nismë e cila synon të angazhojë të rinj për klimën në kuadër të Climate Action Fund, Bloomberg Philanthropies, mbështetur nga Qytetet e Bashkuara dhe Qeveritë Lokale (UCLG) së bashku me Qendrën Bloomberg për Inovacionin Publik në Universitetin Johns Hopkins dhe implementuar nga Bashkia Tiranë dhe ICTSlab.
Në evenimentin përmbyllës nderuan me pjesëmarrjen e tyre Nën-Kryetarja e Bashkisë Tiranë znj. Jonida Halili, Drejtori për Integrimin, Zhvillimin Strategjik dhe Fuqizimin Ekonomik në Bashkinë Tiranë z. Genci Kojdheli, Drejtoresha e Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Bashkinë Tiranë znj. Julia Dhame dhe bashkëthemeluesi i ICTSlab z. Kushtrim Shala.
“Dua të përgëzoj të rinjtë për përfshirjen në këtë projekt. Mendoj që secili prej tyre do të japë një impakt, do të lërë një gjurmë në qytet,” tha znj. Halili.
Youth For Climate: Edicioni i Tiranës u hap zyrtarisht më 5 Qershor ku grupe të rinjsh të moshave 15-24 vjeç banues në qytetin e Tiranës mund të bëheshin pjesë duke sjellë zgjidhje të reja dhe inovative për një klimë më të qëndrueshme.
“Kjo është një sfidë zhvillimore shumë e madhe e vendit tonë. Gjenerata juaj me idetë fantastike për ta bërë qytetin më të gjelbër, më të qëndrueshëm është shpresë,” tha z. Kojdheli.
Deri më 25 Korrik, rreth 70 të rinj kishin aplikuar për tu bërë pjesë ndërsa me Youth for Climate Tirana ju bashkuar qyteteve të tjera në 38 vende të ndryshme të botës në 6 kontinente, një nismë e cila përfaqëson 62 milionë banorë.
“Më përpara ishte e vështirë për të gjithë ne të kuptonim efektet e ndryshimeve klimatike pasi nuk i ndjenim. Sot i ndiejmë këto ndryshime, mbi veten, mbi qytetin, mbi shtëpinë dhe botën. Na vjen mirë që keni realizuar ide kaq të mira të lidhura me ndryshimet klimatike,” tha znj. Dhame.
Në Youth for Climate: Edicioni i Tiranës të rinjtë mund të aplikonin me projekte për 6 sfida të ndryshme: 1. Shtimi i hapësirave të gjelbra; 2.Transporti – Implementimi i një sistemi të qëndrueshëm; 3.Energjia e Qëndrueshme dhe miqësore ndaj klimës; 4. Ekonomia Qarkulluese; 5. Ndryshimet Klimatike; 6. Rritja e Ndërgjegjësimit mbi Klimën dhe Komunitetet e Qëndrueshme.
“Jam i impresionuar nga cilësia e aplikimeve që kemi marrë. Ju nuk keni asnjë ndryshim nga të rinjtë e kryeqyteteve Europiane. Ju do të jeni krenar, ne do të jemi shumë krenar dhe do tu mbështetim me projekte të tjera në vijim. Le të jemi sa më të përgjegjshëm ndaj qytetit dhe mjedisit,” tha z. Shala.
8 skuadra u shpallën fituese dhe do të financohen në vlerë 5,000 dollarëpër implementimin e projekteve të tyre në muajt në vijim të cilat i bashkëngjiten sfidave të kësaj thirrjeje me aktivitete si: Instalacione për rritjen e ndërgjegjësimit publik, krijimi i korridoreve të gjelbra, transformimi i stacioneve të autobusëve në oaze të gjelbëruara, shtimi i hapësirave të gjelbra në lagje me mungesë të këtyre të fundit, krijimi i produkteve teknologjike si aplikacione apo struktura si stola elektrikë si dhe krijimi i çezmave publike në qytet.
Nga mobilizimi i mbjelljes së pemëve tek fushatat e edukimit publik, lançimi i riciklimit ose i nismave për reduktimin e mbetjeve, apo përfshirja në plane zbutëse ose programe përgatitjeje, përpjekjet që vinë nga Fondi Rinor të Veprimit për Klimën do të shtyjë përpara objektiva parësor të komunitetit lokal siç është përkushtimi ndaj dekarbonizimit ose reduktimi i emetimeve nga konsumi.
Fondi i Veprimit Rinor për Klimën mbështetet nga Bloomberg Philanthropies, një organizatë e cila investon në 700 qytete dhe 150 vende anembanë botës për një jetë më të mirë dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme. Në 2023 Bloomberg Philanthropies shpërndau 3 miliardë dollarë mbështetje.