Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për një nga televizonet tona kombëtare, nga ku kreu i qeverisë shqiptare të futbollit foli për rinovimin e kontratës me trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij, ndërsa shtoi se objektivi i përbashkët është kualifikimi në Kupën e Botës 2026. Gjithashtu, ai komentoi dy ndeshjet e para në UEFA Nations League dhe e konsideroi një nisje të mbarë rrugëtimin e ri në këtë kompeticion.
Presidenti Duka nënvizoi se ekipi kuqezi mund të renditet në të dyja pozicionet, qoftë në krye të grupit, por edhe në fund. Ajo çfarë ai theksoi është se skuadra duhet të luftojë në çdo sekond dhe të marrë çdo pikë të mundshme, teksa vlerësoi edhe njëherë me nota pozitive kompeticionin e Ligës së Kombeve, që i jep mundësi skuadrave të rriten më shumë.
Presidenti i FSHF-së u ndal edhe tek kampionati shqiptar dhe komentoi ecurinë e deritanishme të edicionit të ri futbollistik, ndërsa foli edhe për skemën “Final 4”, duke e konsideruar si një skemë që dhuron më shumë garë, interes, ndershje dhe emocione. Ndër të tjera, numri një i futbollit në Shqipëri komentoi edhe vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për të rritur numrin e lojtarëve të huaj që luajnë në kampionatin vendas dhe tregoi arsyet se pse është marrë një vendim i tillë, duke nënvizuar se kjo ishte një kërkesë e klubeve.
Kreu i Federatës foli edhe për organizimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutit të UEFA në Tiranë, si dhe komentoi edhe kandidimin për UEFA Euro U21 2027 së bashku me Federatën Serbe të Futbollit. Ai theksoi se ky event sjell shumë të mira për vendin tonë dhe që të gjithë duhet të mos gjykojnë emocionalisht, pasi është vetëm një garë sportive.
Në fund, Presidenti Duka tha se pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian ishte edhe momenti më emocionues i këtij viti futbollistik.
Më poshtë intervista e plotë:
Rinovimi i kontratës me trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij? – Rinovimi i kontratës me Silvinjon dhe rikonfirmimi i të gjithë stafit të ekipit Kombëtar nuk është vetëm një opinion apo dëshirë e imja, është rrjedhë logjike e punës dhe kontributit që ka bërë Silvinjo dhe i gjithë stafi i tij me ekipin Kombëtar, performanca gjatë kësaj periudhe dhe rezultati, kualifikimi në Europian. Padyshim që mbase do të ishim shumë më të lumtur nëse do të kishim ndonjë pikë më shumë në Europian apo një paraqitje më të mirë në një ndeshje që vërtetë kishte pikëpyetje në Europian. Por, në përgjithësi Europiani ishte i mirë. Në një rrjedhë logjike normale një staf dhe skuadër që ka bërë rezultat historik, më i miri në historinë e Shqipërisë kualifikimi për herë të dytë në Europian. Ishte një kampionat vërtetë ndryshe dhe më i bukur se Euro 2016. Kënaqësia që morën njerëzit në këtë Europian, e kemi lexuar dhe parë te të gjithë ato që kanë qenë në Gjermani, por edhe ato që nuk kanë qenë e kanë përjetuar me shumë kënaqësi. Vërtetë ishte një Europian shumë i mirë. Ishte një rrjedhë logjike, e performancës, kontributit dhe kënaqësisë që i ka dhënë të gjithë njerëzve. Në fund të fundit futbollit për këtë është.
Objektivi i Silvinjos në të ardhmen? – Objektivi i vetëm që ka Silvinjo, futbollistët dhe të gjithë ne, që të tentojmë për të shkuar në Kampionatin Botëror. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk është një objektiv i lehtë dhe është i vështirë. Gjërat e vështira duam më shumë impenjim dhe punë, ne këtë po e bëjmë. Padyshim që duhet edhe më shumë kualitet. Objektivi mbetet real për Shqipërinë, duke parë performancën që ekipi Kombëtar ka patur në kualifikuese dhe në Europian. Ndeshja ndaj Kroacisë ishte e nivelit botëror, ku ekipi jonë meritonte më shumë në rezultat. Edhe ndeshja me Spanjën ishte e mirë dhe duke parë të gjitha këto, ne kemi mundësi reale për të luftuar. Mbetet për t’u parë, por ky është objektivi. Ky nuk është një objektiv që cënon ekzistencën e Silvinjos dhe stafit të tij, por mbetet një objektiv për t’u luftuar nga të gjithë së bashku. Shpresoj që ta realizojmë.
Dy ndeshjet e para në UEFA Nations League? – Në futboll nuk ka më pushim, mbaron një kompeticion dhe fillon një tjetër. Të mbash të njëjtin ritëm është një gjë e vështirë. Këtu bëhen edhe diferencat e skuadrave të mëdha me ato më pak të mëdha apo të vogla nga pikëpamja mentale, që janë gjithmonë gati për çdo lloj kompeticioni. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Nations League është një kompeticion shumë i rëndësishëm për të gjitha benefitet që mund t’i sjellë futbollit dhe për të realizuar objektivat tona. Nëpërmjet Nations League mund të jesh pjesë e play-off-it, padyshim mundësitë janë më të pakëta, pasi nëpërmjet kualifikueseve janë më të mëdha. Por, rezulatet e mira ndihmojnë edhe në klasifikimin e Shqipërisë dhe për shortin e 13 dhjetorit. Unë jam i kënaqur për mënyrën se si ka filluar. Pas Europianit dhe një super suksesi, në përgjithësi skuadrat më pak të mëdha kalojnë në një lloj relaksi dhe nuk e kanë ritmin e duhur. Në pritshmëritë e mia jemi mirë. Fituam në Pragë kundër Ukrainës, por nuk mund të fitosh gjithmonë dhe kjo ndodhi me Gjeorgjinë në Tiranë. Mbase ajo që mund të menaxhonim më mirë është lodhja, pasi dy ndeshje në tre ditë për një skuadër që jo të gjithë futbollistët janë në 90 minuta me ekipet e tyre është pak e vështirë. Mbase lodhja nuk u menaxhua mirë, por nga ana tjetër edhe Gjeorgjia me të njëjtët lotjarët luajti dhe fitoi. Këto nuk janë formula fikse, por mbase mund të bënim më mirë. Fillimi për mua është i mbarë dhe ne jemi në lojë dhe pretendentë për çdo pozicion të grupit. Skuadrat janë shumë të mira dhe është një grup i balancuar. Nuk është çudi që të fitosh dhe të humbësh brenda apo jashtë kundër çdo skuadre, kështu që mbetet për t’u parë dhe nuk është shumë larg, pasi më 11 tetor kemi një ndeshje shumë të rëndësishme në Pragë kundër Çekisë. Është një lloj kryqëzimi për të dy skuadrat. E njëjta gjë ka qenë edhe në kualifikueset e Europianit, ndeshja me Çekinë ishte kyçe për të mbetur në lojë për kualifikimin. Morëm një rezultat të kënaqshëm dhe u kualifikuam. Uroj të ndodhë e njëjta gjë edhe në tetor. Mund të dalim të parët në grup, por edhe të fundit. Duke qenë kaq i balancuar, çdo rezultat është i pranueshëm. Është shumë e rëndësishme që stafi dhe të gjithë ne të injektojmë te futbollistët këtë lloj mentaliteti. Që ky është një grup që duhet të luftosh në çdo sekond. E veçanta e këtij kompeticioni është që të duhet çdo pikë dhe çdo gol. Çdo pozicionim në Nations League është i rëndësishëm për ekipin Kombëtar, për të tashmen dhe për të ardhmen. Për të shkuar në play-off, për të përmirësuar renditjen për shortin e Kampionatit Botëror dhe pse jo për t’u ngjitur në një vazo më lart në Ligën A ku luajnë ekipet elitë të Europës dhe për mos të rënë në një ligë më poshtë ku luajnë ekipet të një niveli më pak të mirë sesa B-ja. Mund të rritesh vetëm duke pasur kompeticione të tilla, si Nations League apo si ai që kishim në Europian kundër Italisë, Spanjës e Kroacisë.
Kampionati shqiptar dhe formula “Final 4” – Kampionati i ri kombëtar, si “Abissnet Superiore” por edhe ai i Kategorisë së Parë kanë nisur mirë në këndvështrimin tim, edhe në nivelin sportiv edhe në nivelin organizativ. Ka shumë ndryshime edhe nga një vit më parë dhe uroj të ruajë të njëjtin ritëm. Ka më pak gabime arbitrare se një vit më parë, më shumë respekt për garën nga të gjithë aktorët dhe uroj që të vazhdojë kështu dhe të shënojë një hap pozitiv në të mirë të kampionatit të futbollit në përgjithësi. Ndryshimi që u bë vitin e kaluar, ku ekipet që do të luajnë në kompeticionet europiane përcaktohen përmes një turneu “Final 4”, që ishte vërtet pozitiv vitin e kaluar, por unë pres të jetë edhe më shumë pozitiv këtë vit. Pa dyshim që ka diskutimet e veta, pa dyshim që ka edhe skepticizmin e vet. Ka gjërat e veta pozitive dhe negative, jo vetëm kjo skemë, jo vetëm kjo formulë, por çdo skemë e formulë loje. Ajo çka duhet vlerësuar është se çfarë ka më shumë pozitive dhe më pak negative. Dhe unë mendoj që kjo i jep një zhvillim më shumë futbollit, i jep më shumë interes, më shumë garë, më shumë ndeshje dhe më shumë emocion.
Rritja e numrit të lojtarëve të huaj që luajnë në kampionat – Ka qenë një diskutim i gjatë për të marrë vendimin që të ndryshojë limiti i lojtarëve të huaj që luajnë në kampionatet shqiptare Abissnet Superiore dhe Kategorisë së Parë. Ka shumë kohë dhe në formë debati mes politikave të Federatës dhe interesave të klubeve. Interesat e klubeve janë që të bëjnë më shumë biznes dhe ta investojnë këtë biznes në futboll për të riprodhuar futboll. Klubet pretendojnë dhe ne, përmes vendimit e kemi gjykuar të drejtë që duke pasur më shumë mundësi për futbollistë të huaj mund të bëjnë më shumë rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare dhe mund të kenë më shumë të ardhura. Dhe duke marrë statistikat e disa kampionateve të tjera, që nuk kanë limite në numrin e futbollistëve të huaj, na ka rezultuar që kanë pasur rezultate më të mira se ne në Europë. Dhe nisur nga kërkesa e klubeve dhe eksperienca dhe statistikat e kampionateve të tjera në Europë, kemi vendosur që të ndryshojë. Për të mos bërë një ndryshim drastik, kemi vendosur që në janar nga 5 futbollistë të bëhet 7 dhe në edicionin e ardhshëm, për kampionatin “Abissnet Superiore” numri i lojtarëve të huaj që do të aktivizohen në një skuadër të jetë pa limit. Për të pasur më shumë rezultate pozitive, për të shkuar më larg në kompeticionet europiane dhe unë mendoj që ky kampionat e meriton që të jetë të paktën në grupet e Conference League, në mos edhe më lart. Ndërsa Kategoria e Parë, që është më pak e ekspozuar në aktivitetet europiane, është menduar që të vazhdojë po me 7 futbollistë të huaj, që ato të rinj që nuk gjejnë hapësira në kampionatin “Abissnet Superiore” të gjejnë më shumë hapësira në kategoritë e tjera. Në njëlloj mënyre, edhe konkurrenca sportive rritet, sepse duhet të luftosh më shumë për të pasur një vend në ekipet e Abissnet Superiore. Çdo vendim ka anët pozitive dhe negative. Dhe ky padyshim që mund të komentohet nga të gjitha këndvështrimet, por u mundova që të shpjegoj se kush janë të mirat dhe ato që kemi menduar ne për të marrë këtë vendim.
Mbledhja e KE së UEFA-s në Tiranë – “Ishte kërkesë e jona për të organizuar një event. Ne kërkojmë të organizojmë sa më shumë evente në Shqipëri dhe realisht kemi organizuar disa takime të rëndësishme në Tiranë, në nivel europian. Edhe këtë muaj kemi dy takime të tjera, një që është takim i Komitetit të Mediave dhe një tjetër për projektet me përgjegjësi sociale për të gjitha vendet e Europës. Edhe takimet e Komitetit Ekzekutiv konsiderohen evente të rëndësishme, që e vënë Federatën dhe vendin në qendër të një lajmi, qoftë një ditë, një javë apo më shumë se sa kaq. Normalisht konsiderohet një zhvillim pozitiv. Komiteti Ekzekutiv nuk është se mund të vendosë lehtë për të zhvilluar apo spostuar një mbledhje në një vend pa parë ato eksperiencat e mëparshme, që duhet të kenë qenë pozitive. Duke pasur parasysh këto, kështu janë vendosur qoftë finalja e Conference League – për mua eventi më i madh që është zhvilluar në Shqipëri – qoftë Kampionati Europian i 17-vjeçarëve që do të zhvillohet në 2025-ën, apo të gjitha aktivitetet e tjera ndërkombëtare. Janë benefite në përgjithësi imazhi, për futbollin, për Federatën, por edhe për vendin në përgjithësi”.
Europiani U-21 – “Ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Europian U-21 në Shqipëri për vitin 2027, si fillim vetëm, më pas kemi bashkuar konkurrimin tonë bashkë me Serbinë. Në fakt nga dita që kemi aplikuar e deri më sot është bërë shumë punë, janë përgatitur shumë dokumente për të përgatitur dosjen për të qenë pjesë e kësaj gare. Me këtë rast falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për t’i përgatitur, pasi është një volum shumë i madh, që nuk përfshin vetëm Federatën e Futbollit, por edhe qeverinë shqiptare, bashkitë, përfshin gjithë infrastrukturën që duhet, hotelerinë, aeroportin që është shumë i rëndësishëm. Mendoj se kemi përgatitur dokumentacionin e duhur për të qenë organizatorë të kësaj gare, që për mua e çdokënd ka vetëm benefite sportive për Shqipërinë. I pari benefit sportiv është që Shqipëria merr pjesë në ato finale pa kualifikuese. Është një shans që deri më sot nuk ka ndodhur që U21-shi jonë të jetë në një Kampionat Europian, gjë që do t’i ndihmonte futbollistët tanë dhe ekipet shqiptare në përgjithësi. Ndihmon ndryshimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri. Ndihmon edhe kampionati i 17-vjeçarëve në 2025-ën, sepse për ta bërë atë ne toerikisht kemi aplikuar që do të bëjmë kaq fusha, kaq stadiume etj, etj. Tani ne do t’i bëjmë, pasi nëse nuk i bëjmë nuk realizohet kampionati. Pra përfiton infrastruktura akoma më shumë në 2027-ën me U-21. Në fund të fundit ne do të luajmë në Shqipëri dhe Serbia në Serbi, por bashkëkandidimi është një faktor i rëndësishëm. Ne vetëm nuk kemi mundësi ta organizojmë. Gjithsesi kjo edhe ka ngjallur diskutime, ka edhe në një lloj mënyre kundërshtime. Unë mendoj që nuk duhet të gjykojmë emocionalisht, duhet të gjykojmë akoma më shumë. Padyshim nuk kam një pozicion kritik për ata që gjykojnë emocionalisht, por i ftoj që të gjykojmë ndryshe. Pa harruar të shkuarën ne duhet të ndërtojmë të ardhmen dhe kush më mirë se futbolli mund t’i japë këto mesazhe bashkëpunimi, solidariteti. Në fund të fundit ne nuk kemi vetëm një bashkëpunim me Serbinë, atë përmes futbollit, kemi edhe bashkëpunime në fusha të tjera, bashkëpunime politike, tregtare, pavarësisht se jemi kritik në shumë gjëra. Ne duhet të ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të shkuarën. Vërtetë mbase periudha nuk është shumë e gjatë nga ajo çfarë ka ndodhur mes popullit tonë dhe atij serb, apo ushtarëve serb dhe popullit tonë. Ka shumë historira të tjera popujsh ashtu sikurse ne. Futbolli ka ndikuar aq sa mund të ndikojë pozitivisht. Në fund të fundit ne do të bëjmë një kampionat sportiv, ky është një aktivitet sportiv. Në këndvështrimin tonë, qëllimi jonë është thjesht benefite sportive. Ne do të luajmë në Shqipëri, grupi tjetër në Serbi”.
Momenti më emocionues i vitit – Gjëja më e bukur ka qenë Kampionati Europian dhe emocionet më të bukura m’i ka dhënë kampionati Europian. Jo vetëm mua besoj por çdo shqiptari. Është shumë kënaqësi të marrësh pjesë në momente të tilla, është shumë bukur por nganjëherë mendoj që mos të jem më një pozicion të tillë, sepse ngarkesa ka qenë kaq e madhe emocionale dhe psikologjike, deri në nivelin e papërballueshëm. Por është ngjarja më e bukur e ndodhur në historinë e Shqipërisë dhe jo vetëm në këtë vit.– E kam thënë para ndeshjes me Italinë kisha emocione të jashtëzakonshme. Takova një homolog të një vendi tjetër që nuk ishte pjese e Europianit dhe më pyeti si isha. I thashë jam shumë keq dhe më tha pse. I thashë kam emocione. Më tha, ah sikur t’i kisha unë emocionet e tua. Këto janë emocione të bukura që duhet t’i përjetosh. /FSHF