Klevis Qose tha se arma me të cilin u krye vrasja ishte futur në burg në mënyrë kontrabandë, ndërsa tha se hetimet ende nuk kanë përfunduar. Sipas tij, nga ana e Drejtorisë së Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal.
“Më datë 15 dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë në Peqin u vra një i burgosur me armë zjarri pistoletë nga një i burgosur tjetër. Lidhur me këtë ngjarje, rrethanat e kryerjes, bashkëpunimit dhe mënyra si kishte hyrë arma kontrabandë burgut, po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë nën hetim lidhur me veprimet dhe ndërveprimet e tyre, por deri tani nuk janë përfunduar hetimet. Sa i përket veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal”, tha Drejtori i Burgjeve.
Arben Lleshi u vra në burgun e Peqinit në dhjetor të vitit 2023 nga Sokol Mjacaj. Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit. Vrasësi i dyshuar Mjacaj deri në këto momente nuk ka pranuar të bashkëpunojë për të treguar porositësin e kësaj ngjarje.