Astronomët kanë publikuar një hartë gjigante të “Rrugës së Qumështit” me zbulimet që kanë ndryshuar “përgjithmonë” njohuritë e tyre lidhur me këtë galaktikë.

Harta me rreze infra të kuqe përmban më tepër se 1.5 miliardë objekte, ndër to edhe yje të sapolindur, dhe si e tillë është harta më e detajuar e krijuar ndonjëherë.

Duke përdorur teleskopin me rreze infra të kuqe (Vista) të Observatorit Evropian Jugor (ESO), shkencëtarët vëzhguan për më shumë se 13 vjet rajonet qendrore të “Rrugës së Qumështit”.

Dante Minniti, astrofizikan në Universitetin “Andres Bello” në Kili, i cili udhëhoqi projektin, tha: “Ne bëmë kaq shumë zbulime, kemi ndryshuar pamjen e galaktikës sonë përgjithmonë.”

Të dhënat e hartës mbulojnë një zonë të qiellit të barabartë me 8600 hëna të plota dhe përmbajnë rreth 10 herë më shumë objekte sesa një hartë e mëparshme e hartuar nga i njëjti ekip në vitin 2012.

Harta e madhe me rreze të kuqe infra përmban rreth 500 terabit të dhëna dhe si e tillë është projekti më i madh i kryer nga teleskopi i Observatorit ESO.

Rrezet infra të kuqe janë të padukshme për syrin e njeriut, por emetohen nga të gjitha objektet në bazë të temperaturës së tyre. Teleskopi mund të zbulojë dhe përkthejë këtë energji në një imazh pamor. Harta përbëhet nga 200,000 imazhe të marra nga teleskopi “Vista”, që ndodhet në Observatorin e ESO-s në Kili.

Kamera me rreze të kuqe infra e teleskopit “Vista” mund të depërtojë përmes pluhurit dhe gazit që janë të përhapura nëpër galaktikën tonë dhe është në gjendje të dallojë edhe rrezatimin nga vendet më të largëta të Rrugës së Qumështit.

Dr Oscar Gonzalez, shkencëtar i lartë i projektit në Qendrën e Teknologjisë së Astronomisë në Mbretërinë e Bashkuar (UK ATC) dhe bashkautor në punimin e ri të Astronomisë dhe Astrofizikës, u shpreh se përfundimi i hartës më të madhe të Rrugës së Qumështit është një arritje e jashtëzakonshme për komunitetit e astronomëve.

‘Të dhënat sigurojnë njohuri të paprecedentë mbi strukturën dhe përbërjen e Rrugës së Qumështit dhe do të vazhdojnë të hapin rrugë të reja për kërkimet e ardhshme, që do të përmirësojnë të kuptuarit tonë për universin për vitet në vijim,” tha ai.