Zbardhen detaje nga atentati tek ‘Don Bosko’, ku të plagosur mbetën Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi. Të dy të plagosurit kanë qenë të ulur bashkë në një tavolinë në momentin e sulmit, pasi raportohet se kanë lidhje shoqërore me njëri-tjetrin. Edhe pse kanë qenë të dy, autorët i janë afruar me makinën tip “Golf” që më pas e dogjën në Institut.
Më shumë detaje për ngjarjen dha kryepolici i Tiranës, Tonin Vocaj, i cili nga vendi i ngjarjes bëri me dije për mediat se në vendngjarje janë sekuestruar 7 gëzhoja dhe se dyshohet se kanë qenë 3 persona që kanë marrë pjesë në atentat. Sipas tij, autorët nuk kanë zbritur fare nga mjeti dhe kanë qëlluar me silenciator, pasi në zonë nuk janë dëgjuar zhurmë të shtënash. Po sipas tij, e gjithë ngjarja është e filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë.
Deri më tani mendohet se shënjestra e atentatit ka qenë Kastriot Elezaj, 45 vjeç, pasi ky i fundit ka precendetë penalë, megjithatë hetimet kanë nisur dhe pritet që t’u merret dëshmi edhe të plagosurve që aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës. Ndërsa nga inspektimi në mjetin e djegur është gjetur edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur nga autorët, e cila është dërguar që të ekzaminohet.