Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka dhënë vendimin ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji në lidhje me dosjen “Babalja”. Mësohet se është lënë në fuqi masa me një vit heqje lirie.
Menjëherë pas vendimit ka folur vetë deputeti, i cili ka thënë se do ta ankimoj. Sakaq, Salianji ka kundërshtuar gjyqtarët, duke bërë dhe disa paralajmërime.
Ai ka theksuar se është gati për fushatën zgjedhore, të cilën do ta bëjë nga burgu.
“Gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Seanca e kaluar u shty për të dhënë mundësi atij që e ka ndërtuar këtë proces nga fillimi deri në fund, për ti dhënë të drejtë Fatmir Xhafajt dhe sot gjykata mori një vendim për ta dhënë si provë por që ishte i shkruar.
Në të gjitha elementët tregon një dosje të kopsitur nga fillimi në fund, që e kanë bërë për propagandë. Unë nuk kam bërë një betejë për të dhëna personale, për trafik droge apo për të vjedhur.
Unë jam i nderuar dhe kam një medalje që i përket karrierës politike.
Jam në dispozicion për bandat. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Fushatën për zgjedhjet do ta bëj nga burgu”, tha ndër të tjera ai.
Kujtojmë që Ervin Salianji u shpall fajtor nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2019 me akuzën e ‘Kallëzimit të rremë’ dhe u dënua me 1 vit heqje lirie.
Sipas prokurorisë, 2 audio përgjimet që publikoi Salianji në 2018-tën, ku pretendohej se Geron Xhafaj vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, janë të montuara dhe në këtë çështje kanë qenë të përfshire edhe Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi.