Bashkia e Tiranës bëhet e para bashki që merr certifikimin ISO 9001, menaxhimin e punëve të qytetit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
“Është një arritje e përbashkët e kësaj skuadre fantastike, që ka transformuar kryeqytetin, e kësaj skuadre që Tiranën e bëri Kryeqytetin Evropian të Rinisë, më pas Qytetin Europian të Sportit, dhe vitin tjetër Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut, por mbi të gjitha, të një skuadre që i shërben me dinjitet, me cilësi dhe respekt një milion banorëve të qytetit tonë. Ky vlerësim është për administratën qendrore të bashkisë dhe njësive administrative. Një administratë, e cila proceson, trajton dhe zgjidh 50 mijë problematika në vit ose rreth 150 raste në ditë”.
Veliaj tha se në vitin 2015, kur iu besua edhe drejtimi i kryeqytetit, e gjeti Tiranën me një administratë të falimentuar.
“Ne morëm një qytet të falimentuar, gjetëm një bashki të falimentuar. Sot, bashkia ka një buxhet 10 herë më të madh, çka do të thotë se mund të bëjë 10-fishin e punëve. Kur bëmë të njëjtin skanim vjet, 25% e Tiranës sot është turizëm dhe 25% janë punët dixhitale; pra, është transformuar 50% e ekonomisë. Është një zinxhir i jashtëzakonshëm ekonomik që e ka transformuar Tiranën nga kryeqyteti i fasonerisë, në kryeqytetin e turizmit dhe punëve dixhitale”,
Kryebashkiaku u ndal edhe te transformimi i institucioneve arsimore gjatë këtyre viteve, ku si pas tij në Tiranë janë ndërtuar 45 shkolla të reja, me të njëjtat standarde si në periferi edhe në qendër.