Në dosjen e SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dalin të tjera të dhëna se si ish-kryeministri Sali Berisha i çonte klientë studios ligjore të vajzës se tij.
Referuar dosjes hetimore, gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se kjo studio ofronte konsulencë juridike për kompani dhe investitorë që merrnin firmën e qeverisë për të kryer më pas pune në Shqipëri.
Dosja hetimore e SPAK tregon dhe elementë të fshehjes së pasurisë së familjes Berisha.
Sipas SPAK, në vitet 2006-2007, Shkëlzen Berisha punonte në studion e së motrës me pagë mujore 2 mijë euro, por në të njëjtën periudhë Argita Malltezi deklaronte zyrtarisht zero fitime.
Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë zyrtarisht i pandehur për veprën penale “korrupsion pasiv” të kryer në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Dosja në ngarkim të tij përbëhet prej 500 faqesh, ndërsa në përmbajtjen e saj, prokurorët Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja kanë listuar të gjitha veprimet që sipas tyre e bëjnë përgjegjës ish-kryeministrin.