Fillimisht thanë se Carlo Bollino është pjesë e organizatës kriminale të SPAK, pastaj që Carlo Bollino është peng e të njëjtës organizatë: Anëtar apo peng? Ose njëra, ose tjetra, hajde të kuptohen.
Pasi kërcënuan hapur gazetarët duke u shprehur se nuk duhet të merren me Dosjen 500 faqëshe të SPAK ndaj tyre, familja Berisha doli përsëri para mediave (siç jemi mësuar tani t’i shohim me rradhë përditë të gjithë në çdo media e televizion), për të sqaruar se nuk e kishin me të gjithë gazetarët, por me disa prej tyre. Po këtu u ngatërruan aq keq sa të vjen të mendosh se situata është më shumë e rëndë nga sa mendohet apo duket në të vërtetë.
Ditën e mërkurë Berisha kërcënoi gazetarët ”se janë peng të SPAK dhe shumë shpejt do e faktoj me prova”. Pastaj paralajmëroi Carlo Bollinon (me emër dhe mbiemër) se ”do trajtohet si anëtar i organizatës kriminale të SKAP-it të partisë”. Për sulmin ndaj ”gazetarëve peng” reaguan shumë shoqata të gazetarëve duke kritikuar ashpër kërcënimet e Berishës. Trembur nga këto reagime, dje ish kryeministri çoi vajzën e tij Argitën në televizion për të sqaruar deklaratën. Por me siguri janë koordinuar keq gjatë mëngjesit të përbashkët pasi Argita tha që ”me fjalët e gazetarëve peng e kishte me Carlo Bollinon, pasi ai ka një dosje në SPAK”.
Pra, fillimisht thanë se Carlo Bollino është pjesë e organizatës kriminale të SPAK, pastaj që Carlo Bollino është peng e të njëjtës organizatë: Anëtar apo peng? Ose njëra, ose tjetra, hajde të kuptohen. I pyetur nga Shqiptarja.com për këtë çështje Bollino tha: “Duke i dëgjuar se më etiketojnë njëkohësisht si anëtar i ”bandës kriminale të SPAK” por dhe si ”peng” i saj, më bën të ndjehem i ri. Më kujtohet në fillimet e mia si gazetar në Shqipëri, flasim për vitet 1994-1995, kur Berisha me mediat e tij më etiketonin si fashist-komunist: Berisha kurrë nuk ka pasur ide të qarta ndaj meje. Po i mirëkuptoj, ata si familje janë komplet në panik!”
Çka Argita harron të sqarojë është se dosjen e sajuar ndaj Carlo Bollinos në SPAK e kanë çuar vetë ata. Është paditur në këtë “organizatë kriminale” prej tyre dhe në këtë rast nuk kuptohet nëse SPAK për familjen Berisha është ashtu siç ata e sulmojnë apo është një organ Drejtësie ku kjo familje beson se do të arrijnë të akuzojnë Bollinon. Apo e kanë çuar kallëzim (të rremë) për të ndihmuar SPAK që ta marrë peng Bollinon dhe ta përdorë pastaj kundër familjes Berisha? Po i bie atëherë që edhe familja Berisha të jetë peng i SPAK meqë edhe kjo familje ka dosjen në SPAK. Apo Berishët janë pengje të privilegjuara?
Si përfundim, nuk janë të qartë nëse Bollino është anëtar apo peng i SPAK. Duke qenë se Argita deklaroi në media se e përditshmja në familje nis me konsultime dhe biseda para kafesë, pastaj hanë e rrinë bashkë ”me rregulla ushtarake”, problemi mund të qëndrojë se Argita nuk mban shënime siç duhet për sulmet që duhet të bëjë në televizion për kundërshtarët që familja piketon dhe ngatërrohet me ato që thotë. Ose me shumë gjasa, familja është komplet në panik dhe nuk di se kë dhe si mund të sulmojnë për të çorientuar opinionin dhe militantët e tyre që janë të skandalizuar (përveç provave për korrupsion familjar) nga leximi i listës së pronave miliardere që fshihen brenda familjes së liderit të tyre legjendar./Shqiptarja.com