Jay Je Yoon Jung dukej si djali i përsosur. Gjatë ditës, ai punonte për biznesin e prindërve të tij, pjesën e mbetur të kohës, e kalonte duke organizuar komunikimin në platformën “Ghost”. ‘Fantazma’ u krijua nga Jung 9 vite më parë dhe është përdorur ekskluzivisht nga personazhe të botës së krimit (nuk dihet a ka shqiptarë të përfshirë apo jo) për të organizuar importimin dhe trafikun e drogës. Jo vetëm kaq! Aty janë planifikuar kërcënime përvrasje, shitje armësh zjarri dhe shumë e shumë vepra të tjera penale.
Jung ishte vetëm 23 vjeç kur krijoi për herë të parë platformën, të cilën e ktheu në një strehë të sigurtë për kriminelët në Australi dhe jo vetëm. Ai fillimisht u shiste telefonin për 2345 dollarë, me 6 muaj abonim falas në platformë. Më pas, duhet që të paguaje për çdo muaj që e përdorje. Por jo gjithmonë!
E vendoste Jung se kush mund të futej për të përdorur platformën e tij!
Edhe pse kishte fituar shumë para, ai jetonte një jetë të qetë, me profil të ulët. Banonte akoma me prindërit e tij në jugperëndim të Sidneit dhe nuk kishte partnere. Kohën e lirë e kalonte me ato pak miq që kishtë në karaoke. Policia australiane theksoi se ishin në dijeni të platformës Ghost që 7 vjet më parë, por autoritetet franceze i lajmëruan vetëm së fundmi se aplikacioni mund të drejtohej nga një australian në vitin 2021. Kështu, ranë në gjurmët e 31-vjeçarit.
Çfarë është Ghost?
Tregu për aplikacionet e bisedave të koduara po lulëzon, me WhatsApp-in që është shërbimi më i njohur dhe më popullor. Por disa veçori të shërbimit Ghost e bënë atë shumë më tërheqës për kriminelët. Ata që donin aplikacionin, nuk blinin “app-in”, por një telefon tërësisht të personalizuar. Mund ta përdonin pa dhënë asnjë informacion personal, apo numër telefoni ekzistues, pra mund të ishte 100% anonim.
Shërbimi përdorte tre standarde të veçanta të kriptimit dhe përdoruesit mund të “shkatërronin” nga distanca të gjitha mesazhet nëse mund të ndodhte që të binte në duart e autoriteteve. Kështu, të sigurtë se nuk do kapeshin, mijëra përdorues në mbarë botën i çonin njëri-tjetrit më shumë se 1000 mesazhe çdo ditë.