Kristjan Asllani ka rinovuar të hënën kontratën me Interin deri në qershor 2028. Një vendim i përbashkët, i zikaltërve dhe mesfushorit të Kombëtares shqiptare, dhe një rinovim që ka ardhur me përmirësime të kushteve të kontratës.
Klubi italian ka vlerësuar Asllanin, duke konfirmuar edhe njëherë se ai është pjesë e projektit edhe për disa vite. Siç raportohet, iniciativa është marrë nga drejtuesit e klubit kampion të Italisë, jo muajt e fundit, por para ndryshimit të pronësisë (një situatë që ngadalësoi zikaltrit për arsyet e zakonshme burokratike, por që në thelb gjeti menjëherë dakordësinë edhe “Oaktree”) me drejtuesit e Beneamatës që donin t’i njihnin Asllanit statusin e futbollistit të Interit, me një rritje të arsyeshme rroge.
Dje, janë zbuluar edhe prapaskenat e rinovimit dhe shifrat e reja që Asllani do të përfitojë me kontratën e re. Kështu, tani Kristjan do të fitojë rreth 25%-30% më shumë sesa kontrata e mëparshme (nga rreth 1.2 plus bonuse në sezon) dhe do të mund të vazhdojë aventurën e tij në skuadrën që ka mbështetur që në fëmijëri.
Djali, pavarësisht kritikave të shumta të marra pas ndeshjes në Monza, konsiderohet nga të gjithë në Inter si një top-lojtar potencial. Kjo është arsyeja pse u kalua nga fjalët në veprime dhe klubi i rinovoi kontratën, duke i përmirësuar edhe pagën.