Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur nga autoritetet federale amerikane, pasi dyshohet se fushata e tij elektorale është financuar nga Turqia. E gjitha me qëllim që të jepte “dritën jeshile” për konsullatën turke në Manhatan. Akuzat e sakta nuk janë bërë ende të ditura por ka raportime që përmendin veprën penale të të vepruarit si agjent i huaj dhe pranimin e parave nga subjektet e huaja.
Ai vetë në reagimin e tij të parë argumentoi se prokuroria ngriti akuza ndaj tij, pasi iu referua krizës me emigrantët me të cilët përballet Nju Jorku.
“Gjithmonë e dija se nëse do të mbështesja njerëzit e Nju Jorkut do të kthehesha në një objektiv, dhe tani jam. Edhe nëse ndiqem penalisht, jam i pafajshëm dhe do të luftoj me të gjitha forcat e mia,”- tha ai në një deklaratë për “Neë York Post”.
Adams thuhet se pritet t’i dorëzohet autoriteteve amerikane javën e ardhshme.
“Do të kërkoj që gjyqi të bëhet menjëherë në mënyrë që njerëzit e Nju Jorkut ta dinë të vërtetën,”- tha ai në një video të postuar në X.
Përveç Adams, të paktën dy persona të tjerë dyshohet se janë përfshirë në të njëjtin rast, Briana Suggs e cila ishte përgjegjëse për mbledhjen e donacioneve dhe ëinnie Greco që ishte përgjegjëse për marrëdhëniet e kryebashkiakut të Nju Jorkut me vendet e Azisë. Të dhëna të tjera bëjnë me dije se në dosjen e lëndës do të përmenden edhe tre persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Donacionet e paligjshme dhe marrëdhëniet “e çuditshme” të Eric Adams me Turqinë.
Hetimi federal shqyrtoi nëse Eric Adams u bëri presion zyrtarëve të Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit të Nju Jorkut për të nënshkruar hapjen e konsullatës së re turke të Turqisë në Nju Jork, pavarësisht shqetësimeve të tyre lidhur me sigurinë. Bëhet fjalë për “Shtëpinë e Turqisë”, një godinë gjigante, përballë godinës qendrore të OKB-së. Rëndësia e inagurimit të godinës ishte aq e madhe, saqë në event mori pjesë edhe vetë presidenti turk Recep Tajip Erdogan.
“Është një arritje e bukur, e mrekullueshme. Komuniteti turk duhet të jetë krenar,”- tha Eric Adams duke iu referuar “Turkey House” në nëntor 2021, menjëherë pas hapjes.
Në intervistën e dhënë për “Anadolu”, ai shtoi se ishte mik i Turqisë.
“Kam udhëtuar në Turqi 5 ose 6 herë kur isha senator dhe kur isha kryebashkiak i Brooklinit, dhe Mezi pres të vazhdoj të udhëtoj sërish. Dua të bëj marrëveshje për binjakëzimin e qyteteve. Stambolli, që është një nga qytetet e mia të preferuara.”
Adams, duke folur për kujtimet e tij të paharrueshme nga Turqia dhe duke shprehur admirimin e tij për Bosforin, vazhdoi: Ka një aftësi të mrekullueshme për të ruajtur historinë në Turqi, dhe në të njëjtën kohë Stambolli është një qytet shumë modern. Antalia është një tjetër vend i bukur. Ky kombinim të bën të kuptosh se sa rol të rëndësishëm ka luajtur Turqia në formësimin e njerëzimit dhe Turqia ka një rol të madh në formësimin e së ardhmes. Kur shikojmë Perandorinë Osmane dhe disa nga gjërat që kanë ndodhur gjatë asaj kohe, shohim takimin e kulturave në Turqi dhe sa i rëndësishëm është në histori, dhe kjo është ajo që më bën më shumë përshtypje në Turqi.
Adams theksoi në atë kohë se dëshiron të vizitojë sërish Turqinë dhe tha: Mezi pres të shkoj përsëri. Unë do të fluturoj me Turkish Airlines. Ka shumë vende që nuk i kam vizituar ende, dua të shkoj dhe të shoh ato vende të mrekullueshme. Këtë herë dua të shkoj në Kapadokia dhe të provoj përvojën e balonave.
Në të njëjtën kohë, siç raporton Politico që nga viti i kaluar, Eric Adams kishte marrë pjesë në rreth 80 ngjarje/festime për Turqinë.
Faqja në Instagram e Konsullatës Turke në Nju Jork, e cila ka qenë aktive që nga viti 2019, përfshin 19 postime me Adams, duke e bërë atë një nga zyrtarët më të reklamuar në faqen e tyre.Në një postim, të publikuar rreth gjashtë javë përpara se Adams të betohet si kryetar bashkie, Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë Reyhan Ozgur buzëqesh dhe shtrëngon duart me Adams jashtë “Shtëpisë Turke”.
Hetuesit po kërkojnë të zbulojnë gjithashtu nëse kryebashkiaku i Nju Jorkut ka pranuar bileta të shtrenjta avioni nga “Turkish Airlines” (ashtu siç pretendon), e cila është pjesërisht në pronësi të shtetit turk. Autoritetet kërkuan gjithashtu informacion mbi një kompani ndërtimi në Brooklin, të drejtuar nga turko-amerikanë, si dhe një universitet të vogël që thuhet se ka lidhje të ngushta me Turqinë.
Eric Adams ka deklaruar se e ka vizituar Turqinë të paktën gjashtë herë dhe se është takuar me Rexhep Tajip Erdogan kur ishte kryebashkiak i Brooklinit. Aktakuza e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut e përkeqëson më tej pozitën e tij pasi deri më tani po përballej me popullaritetin në rënie. Po ashtu, ky rast mund të jetë një goditje për demokratët disa javë para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
“Vërshimi i dorëheqjeve dhe vendeve vakante”
Tashmë ditët e fundit kanë dhënë dorëheqje shumë persona nga rrethi i ngushtë i kryebashkiakut të Nju Jorkut, mes tyre edhe përgjegjësi i shërbimeve shëndetësore dhe përgjegjësi për çështjet e arsimit. Shefi i NYPD-së, Edëard Caban, i cili gjithashtu është nën hetim, dha dorëheqjen më herët në shtator, një vit pasi mori detyrën e kreut të NYPD.