Ish-kryeministri Sali Berisha do të njihet zyrtarisht të mërkurën me përfundimin e hetimeve për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ish-kryeministrit në 11 shtator iu komunikua edhe akuza e korrupsionit pasiv, ndërsa SPAK ka njoftuar edhe Jamarbër Malltezin për tu njohur të mërkurën me aktet e dosjes dhe mbylljen e hetimeve. Ibsen Elezi në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News nënvizoi se ish-kryeministri Berisha ka shkelur Kushtetutën dhe se sipas tij, nuk pranon rivalë brenda PD-së.
“Një pjesë e mirë e njerëzve në PD duke mos e njohur rrugën e përballjes mendonin se do ta mundnin zotin Berisha duke marrë vulën, por një gjë e tillë nuk funksionon. Berisha nuk mund të krijonte një kulturë të re brenda partisë”, tha ai.
Më tej Elezi u ndal tek situata në Partinë Demokratike, pasi prezantimi i Agron Gjekmarkajt, si drejtues Politik i Lezhës, u përball me refuzim nga demokratët e degës së Lezhës.
“Ky është mekanizmi. Dhe kur ballafaqimi shkon ballë për ballë edhe reagimi do të jetë i ashpër. Por mos reagimet në kohë për shkeljet që kanë ndodhur, këtu do ta çonin situatën.
Nuk shtrohet problemi për konsum, por për diskreditim politik. Një ndër kërkesat e forta që kam pasur ka qenë “prerja e duarve” e të gjithë atyre që kanë vjedhur vota.
Këto janë në një “amulli” dhe besoj se këtë herë i gjithë elektorati i djathtë do të marrë një shuplakë të fortë nga demokratët”, tha më tej Elezi.