Afro 27 mijë nxënës, sipas ZVA-së Durrës, nisën sot vitin e ri shkollor në territorin e bashkisë së Durrësit, ndërsa 1800 prej tyre u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.

Vihet re një rënie e numrit të nxënësve në sistemin e arsimit parauniversitar krahasuar me një vit më parë. Paraprakisht deklarohet se edhe këtë vit do të vijojë mësimi me turne për nxënësit e disa shkollave, si gjimnazi Gjergj Kastrioti, ai i Manzës dhe shkolla e Radës, ndërsa disa të tjera në rindërtim pritet të hapen brenda vitit. Shkolla e Gjuricajt është mbyllur dhe nxënësit e paktë të saj do të shkojnë në shkollën e Ishmit.

Rreth pesë vite pas tërmetit që shkaktoi dëme të konsiderueshme në godinat arsimore të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm, shumë shkolla kanë çelur dyert për nxënësit dhe stafet pedagogjike. Të tjera janë në pritje. Sipas Zyrës Vendore Arsimore (ZVA), këtë 9 shtator janë hapur shkolla 9-vjeçare “14 Nëntori”, gjimnazet “Naim Frashëri”, “Dom Nikollë Kaçorri” dhe shkollën e mesme të bashkuar të Katundit të Ri, ‘Isuf Hoti’.”

Brenda vjeshtës pritet të futen në institucionet e tyre arsimore nxënësit e shkollës “Demokracia” dhe “Riza Shera” në Radë, ndërsa pritet të përfundojë dhe shkolla e mesme sportive “Benardina Qerraxhia” ku po vijojnë punimet. Në ndërtim është dhe gjimnazi i Manzës. E vetmja shkollë, së cilës ende nuk i dihet fati, është gjimnazi “Gjergj Kastrioti” në qytetin bregdetar, për të cilin ZVA Durrës deklaron se pritet vendimi nga qeveria në bashkëpunim me bashkinë se kur dhe ku do të ndërtohet.