Shefi i Sektorit të Shërbimeve Operacionale në DVP Gjirokastër, Agim Fejzo, është lënë me masën “arrest shtëpie” nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Fejzo është i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Sipas AMP, nga hetimet disa mujore janë siguruar provat se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

NJOFTIMI:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë, Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve Operacionale në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”

Nga hetimet intensive disa mujore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, u siguruan prova se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.