Filmi shqiptar “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar, në kategorinë e filmave të huaj, në garën për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar në edicionin e 97-të të Academy Awards, njofton Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Ky film, me regjisor Robert Budina dhe me skenar Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja është një triller emocionues që eksploron botën psikologjike të një nëne të fuqishme, e cila gjendet e detyruar të përballet me një sistem të pamëshirshëm manipulimi për të mbrojtur të birin. Filmi ngre pyetjen thelbësore: deri ku mund të shkojë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj?
I prodhuar në vitin 2024 nga EraFilm, “Pikë Uji” mban mbërthyer për 91 minuta publikun, të cilët në Shqipëri pati një pritje të jashtëzakonshme,
Kastri kryesor përbëhet nga Gresa Pallaska (Aida); Arben Bajraktaraj (Iliri); Gerhard Koloneci (Beni); Adem Karaga (Elvis); Paolo Iancu (Mark); Henri Topi (Denis)
Filmi pritet të ketë premierën ndërkombëtare në festival të kategorisë A e më pas do shfaqet në kinematë e vendeve të Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, duke zgjeruar audiencën e tij përtej kufijve shqiptarë.
“Jam thellësisht i nderuar që ‘Pikë Uji’ është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në çmimet Oscar. Ky film është fryt i një pune intensive dhe pasionante, ku kemi synuar të eksplorojmë thellësisht psikologjinë e një nëne të fuqishme përballë sfidave ten je sitstemi te korruptuar. Përzgjedhja për Oscars është një njohje e rëndësishme jo vetëm për ekipin tonë, por për të gjithë kinematografinë shqiptare. Shpresojmë që ‘Pikë Uji’ do të prekë zemrat e një audience globale, duke nxitur reflektim mbi vlerat universale të familjes dhe drejtësisë”, tha në një deklaratë regjisori Robert Budina.