Padyshim një klasike e madhe. Edhe kur luajnë në finale, edhe kur kjo ndodh në grupet e Championsit, sërish një Milan-Liverpul është një përballje historike e kontinentit. Seria e radhës e këtij rivaliteti do të luhet sonte në orën 21:00 në “San Siro”.
Dy ekipet vijnë në formë të ndryshme, të paktën për momentin.
Italianët fituan 4-0 në Serinë A ndaj Venecias, diçka që u lavdërua, edhe pse niveli I kundërshtarit nuk ishte i lartë.
Trajneri Paulo Fonseka ka disa shqetësime me dëmtimet, ndonëse lojtarët kryesorë janë në dispozicion. Të dëmtuar llogariten Benaser, Florenci dhe Sportielo, ndërsa Kalabria mbetet në dyshim.
Në fushë priten yjet më të mirë si Menja, Hernandez, Reijnders, Pulishic, Abraham apo Leao. Fonseka e vlerëson Liverpulin si njërin nga ekipet më të mirë të Europës dhe kërkon që Milani të japë maksimumin nëse dëshiron të marrë fitoren.
Gjithsesi, ai shprehu besim te futbollistët e tij. Liverpuli, ndërkaq, humbi papritur në shtëpi ndaj Notingem Forestit në Premier Ligë, diçka që nuk mendohej.
Padyshim që kjo ka krijuar një tronditje pas nisjes së shkëlqyer të kampionatit anglez, e nuk dihet sesa mund të ndikojë në një ndeshje tepër të vështirë, për më tepër jashtë fushe.
Trajneri holandez Arne Slot pohon se Liverpuli ka nevojë të përmirësohet, ndonëse të kuqtë janë skuadër e tillë që shpesh di ta harrojë atë që ndodh në Angli, dhe të jetë krejt ndyshe në Champions.
Për fat, skuadra është thuajse e plotë, dhe mungesë është vetëm I riu Eliot, si dhe Kieza mbetet në dyshim.