Nga Mero Baze/

Ndërkohë që po hynte në zyrat e SPAK për t’iu komunikuar akuza se ishte marrë I pandehur për korrupsion, pasi I dorëzuan një dosje me 500 faqe ku provohet favorizimi I vajzës së tij për të përfituar nga pushteti I babait kryeministër në procesin e privatizimit të paligjshëm të ish Klubit “Partizani”,  Sali Berisha bëri kujdes të deklaronte qartë se do ishte kandidati për kryeministër I PD.

Ndërsa u ngjit me mundim në derën e makinës të përshëndeste militantët e paktë të rrugicës që e kishin shoqëruar deri aty, si ata talebanët kur shoqërojnë me ulërima duke çjerrë faqet, makinën me arkivolin e ndonjë lideri të tyre, ai nuk bëri deklarata as për përmbajtje të dosjes, as për marrjen si I pandehur, por gjeti kohë të zbulonte se ishte kandidat për kryeministër.

Që ditën e parë që ka nisur procesi I ndëshkimit ndaj tij në 9 shtator 2021, kur u përjashtua nga Grupi parlamentar I PD, pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Berisha vendosi të rimarrë dhe formalisht PD për ta përdorur atë si mburojë politike.

Në një betejë të pamëshirshme për demokratët, ai përdori gënjeshtra , skenarë konspirativë, pakica të frustruara të së djathtës, njerëz me devijime mendore, hunjtë dhe varet, dhe miliona euro të vjedhura nga koha e pushtetit për tu rikthyer pas tri vitesh në krye të PD.

Ai bëri pazare financiare e politike , shantazhe dhe blerje deputetësh, dhunë fizike dhe premtime politike, vetëm që t’ia arrinte asaj dite.

Dhe kur më në fund e arriti, kur mori vulën dhe logon që shpresonte se do ta mbronte nga SPAK, u mor dhe i pandehur. Beteja e tij trevjeçare për të rrëmbyer PD, i çoi në shtëpi një nuse të vdekur. Nuk i duhet më për asgjë.

Tani fisheku I fundit që i ka mbetur është të vet shpallet kandidat për kryeministër. Kështu së paku e dëshpëron deri në fund PD, jo vetëm për hojmë në zgjedhje, por dhe për të ardhmen afatgjatë të saj.

D.m.th. meqë nuk e mbrojti dot e shkuara e PD dhe logua e saj, shpreson ta mbroj shpresa e PD për të ardhmen që të ketë një kryeministër.

Tani u thotë demokratëve luftoni që të më bëni kryeministër nga burgu, ose do rrini gjithë jetën në opozitë.

I vetmi keqkuptim që ka është se pas kësaj dite ai do të jetë ndonjë ditë i lirë. Nuk ka për të qenë më kurrë i lirë. Ky është procesi I parë i tij dhe është si gjyq kafenesh krahasuar me akuzat për vrasje që do ti vijnë nga proceset e tjera siç është ai I 21 Janarit. Ai të vetmin privilegj që ka është se derisa të dënohet do rrij në penxheren e shtëpisë së tij. Pastaj ç’fat të ketë.

I vetmi fat që nuk do të ketë, është që të jetë kryeministër. Ndaj po nxiton të paktën të shpallet kandidat. Kështu mund të duket njeriu më I rëndësishëm në Reç, por jo në Tiranë.