Nuk prodhoi fitues derbi mes Partizanit dhe Dinamo City-t, sfidë e cila u mbyll në barazim 2-2. Ishte një ndeshje spektakolare, me një fund dramatik, në atë që ishte debutimi i trajnerit Ilir Daja në stolin e bluve.
Dinamo e nisi shumë mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh në minutën e 5-të, me Itodo Mandela. Të kuqtë nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat me Bintsouka në minutën e 33-të.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa fraksioni i dytë ishte spektakolar dhe me raste shënimi. Shtylla i mohoi avantazhin Dinamos pak minuta para mbylljes së kohës së rregullt, ndërsa festa shpërtheu në krahun tjetër.
Në minutën e 91, Rrapaj me një supergol nga jashtë zone, i dha avantazhin Partizanit, duke përmbysur rezultatin.
Festa e “demave” zgjati pak, pasi Dinamo nuk e kishte thënë fjalën e fundit. Në minutën e 95-të, ishte Lorenco Vila, që përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe e ndali në fundin e rrjetës, duke barazuar shifrat.
Me këtë barazim, Partizani mban vendin e dytë me 7 pikë, ndërsa Dinamo renditet në vendin e parafundit me 4 pikë.