Gjermania nisi të hënën kontrolle të rastësishme në kufijtë e saj me pesë vende të Evropës Perëndimore, në përpjekje për të luftuar migrimin e parregullt.
Kontrollet policore filluan në orët e mëngjesit në kufijtë me Francën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Danimarkën dhe do të vazhdojnë për gjashtë muaj.
Nga viti i kaluar, Gjermania zbaton kontrolle të tilla edhe në kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën.
Gjermania, anëtare e Bashkimit Evropian, njoftoi qysh javën e kaluar se do t’i zgjerojë kontrollet kufitare në të nëntë kufijtë e saj tokësorë, si masë për të goditur migracionin e parregullt dhe krimin, pas sulmeve të fundit ekstremiste.
Muajin e kaluar, nga një sulm me thikë në qytetin Solingen u vranë tre persona.
Sulmuesi i dyshuar, një azilkërkues sirian, tha se është frymëzuar nga grupi militant Shteti Islamik.
Në qershor, një sulm tjetër me thikë – për të cilin u fajësua një imigrant afgan – la të vdekur një oficer të policisë, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën.
Kontrollet kufitare, sidoqoftë, kanë vënë në sprovë unitetin evropian, sepse disa argumentojnë se ato janë në kundërshtim me zonën e lëvizjes së lirë brenda BE-së, e njohur si Schengen.
Me rregullat e BE-së, shtetet anëtare mund të vendosin përkohësisht kontrolle në të ashtuquajturit kufij të brendshëm, në rast të ndonjë kërcënimi serioz, siç është ai për sigurinë kombëtare.
Por, me rregulla, kontrollet kufitare duhet të zbatohen si mjeti i fundit në situata të jashtëzakonshme dhe duhet të jenë të kufizuara në kohë./REL