Do të vinte dita e tij.
Myrto Uzuni nuk është nga ata që dyshon tek vetja, dhe më në fund e kaloi një periudhë të vështirë në karrierë.
Pasi u kthye me fat në kombëtaren shqiptare, sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë të sezonit, teksa skuadra e tij, Granada barazoi 2-2 në fushën e Elche, në Ligën e Dytë të Spanjës, aty ku dy vite më parë Uzuni fitoi “Këpucën e Artë” me 23 gola të shënuar.
Këtë herë shënoi të parin dhe pikërisht në javën e pestë, duke i dhënë ekipit barazimin e përkohshëm 1-1, në minutën e 55’-të.
Nga Seria A, për Kombëtaren shqiptare erdhi një lajm i mirë.
Kapiteni “kuqezi”, Berat Gjimshiti, u kthye nga dëmtimi më shpejt sesa pritej dhe madje ishte titullar për “Bergamaskët” e Atalanta, me skudrën nga Bergamo, që fitoi 3-2 në shtëpi ndaj “Violëve” të Fiorentina, ndonëse u ndodh dy herë në dizavantazh.
Gjimshiti u paraqit mirë dhe ishte numri 1 ndër mbrojtësit, dhe njëri nga kryesorët në fushë.
Në Rumani ndërkaq shkëlqeu një lojtar që dikur ishte pjesë e kombëtares, me sulmuesin Florian Kamberi realizoi mjaft bukur në ndeshjen Poli Iasi-Universitatea Craiova, me vendasit që fituan me shifrat 2-0 dhe Kamberi shënoi golin e parë, dhe ndihmoi që të vinte i dyti.
Kjo, pasi gjuajtja e tij ngeci në fushën e mbushur me ujë për shkak të shirave të dendur, dhe u dërgua në rrjetë nga një shok i skuadrës.
Duke u kthyer në Itali, Silvio Merkaj tregoi veten në Serie B, me sulmuesin shqiptar dha asistin për golin e tretë të ekipit të tij, Sudtirol që fitoi 3-1 në stadiumin e Reggiana.