Granit Xhaka shqiptari nga Kosova i cili luan për Zvicrën është përfshirë në listën e futbollistëve më të mrië të botës në garë për trofeun më të rëndësishëm personal, atë të “Topit të Artë”.
Ai bëhet gjithashtu edhe futbollisti i parë shqiptar në këtë listë. Ky lajm ka bërë krenarë gjithë shqiptarët, e padyshim prindërit e tij.
Ka qenë babai i Granitit, Ragip Xhaka i cili ka bërë një postim në rrjetet sociale. Ai shpreh gjithë krenarinë për punën e palodhur të të birit.
“Sot është një ditë e veçantë dhe e mbushur me krenari të madhe për mua dhe familjen tonë. Djali im, Graniti, është nominuar për çmimin prestigjioz Ballon d’Or. Ai është i pari shqiptar dhe në të njëjtën kohë lojtari i vetëm zviceran që ka arritur këtë nivel në botën e futbollit, dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të emocionuar.
Puna e palodhur, përkushtimi dhe sakrificat e tij kanë bërë që ëndrrat të realizohen dhe emri i shqiptarëve të shkruhet në histori. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë që i keni dhënë Granitit ndër vite.
Urime Granit, krenaria jonë!”, shkruan babai i Granit Xhakës.