Nga Prof. Dr. Vehbi Hoti
Luigj Gurakuqi është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë patriotike e demokratike, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë. Një figurë poliedrike e madhore: Luigj Gurakuqi ishte politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, poet e prozator, estet e kritik letrar, pedagog e tekstolog, ekonomist e financier, orator, njeri i kulturës dhe i shkencës, i fjalës dhe i veprimit, i pendës dhe i pushkës; në shkrimet e tij përdorte emnat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda. Mbi te gjitha ai ishte patriot i madh, atdhetar i flaktë, bashkëthemelues i shtetit shqiptar të epokës moderne. Nga ana tjetër, Luigj Gurakuqi, si rrallë kush, përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë. Në shumicën prej tyre qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, madje ndër organizatorët e drejtuesit kryesor të tyre.
Luigj Gurakuqi lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879, dhe u rrit në gjirin e një familjeje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e, Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u muer në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjerë shokësh e miqsh, në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur, gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës.
I ndodhur përherë pranë të atit, Luigji i vogël dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanik, si dhe për burrat që i udhëhoqën ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student, do të shkruante: “Më çohet mall me kenë në shpi e, me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e, që edhe ai vetë shume kish pa”.
Shkollën fillore e të mesme jo të plotë, i ndoqi në Kolegjin Saverian, që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Luigji qe ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare, i shfaqen prirjet për letërsi e, krijime letrare. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi për tërë jetën; ai ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Për 2-3 vjet, studion për mjekësi, duke vazhduar e u diplomua për shkenca natyrore.
Vazhdoi studimet universitare në Napoli (Itali), në vitet 1901-1906 dhe debutoi me sukses si poet lirik, ku si udhërrëfyes kishte poetin e mallit, Filip Shiroka, lëvrues i prozës së shkurtër e publicist. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim”, (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme, për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli; “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp, i fjalëve të reja”, etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij, ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik, e në kritikën letrare shqiptare.
Tek personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat kultura e gjerë dhe enciklopedike. Ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqisht e gjermanisht, ka të ngjarë edhe anglishten.
Pas vitit 1906, Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar. Në verën e vitit 1907, bashkëpunoi me Bajo Topullin, për organizimin e kryengritjes në Veri. Më 1908, në korrik, mbërrin në Shkodër, i adhuruar nga populli, e përcjellin deri në shtëpi. Në nëntor, merr pjesë në Kongresin e Manastirit, krah përfaqësuesve të Shkodrës, At Gjergj Fishtës, Dom Ndre Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.
Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij, u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Më 1909, u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë, për vënien e arsimit mbi baza kombëtare.
Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës, të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar, i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore, me një vëllim prej 738 faqesh. Më 1911, Gurakuqi merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e, si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Mati Prennushin, Memorandumin e Greçës, apo “Librin e Kuq”, siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë.
Më 1912, zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit, dhe shkruesi i Deklaratës së Mëvetsisë. “Për çdo shqiptar, – porosiste Gurakuqi, – dita e 28 nëntorit nuk duhet të jetë vetëm një ditë festimi, ku secili duhet të bëjë analizën e jetës së vet dhe, me dorë në zemër, të pyes vetveten, nëse ka bërë gjithkund e gjithmonë detyrën që kish përpara atdheut”.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor, për djem e vajza. Gjatë Luftës I-rë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë. Merr pjesë në Konferencën e Londrës, më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe koniunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e ‘Komisisë Letrare’ më 1916, ku u tregua një lëvrues i zoti i gjuhës shqipe, duke krijuar përveç të tjerash edhe një varg fjalësh të reja, që hynë në fondin e saj.
Gurakuqi ka pasë një angazhim tepër serioz dhe shumë të gjatë, për problemet e gjuhësisë. Që në fillim ai iu përmbajt tezës, sa patriotike aq edhe shkencore, se gjuha është shenja më e parë e kombit, kushti themelor për ekzistencën e tij dhe mjeti më i mirë për bashkimin kombëtar. Sipas Gurakuqit, gjuha dhe kombi, janë një trup e një shpirt, janë; “mish e thù”. Ai ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore, me një vëllim prej 738 faqesh.
Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemrës së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar, ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Gurakuqi kishte një vizion të qartë, për rolin e shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore t’individit në fushën e arsimit dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike, të shkollës shqiptare. E çuditshme për natyrën e tij iu dha edhe posti i ministrit të Brendshëm, në kabinetin disa ditor të Hasan Prishtinës.
Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918, ku zgjidhet ministër i Arsimit, në qeverinë e përkohshme e, anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, Luigj Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare, të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla, të jenë të ndaluara dhe shton se; “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni, duhet të zgjidhet mbas formulës: ‘Feja e lire, në shtet të lirë”.
Këto ide e mendime Luigj Gurakuqi i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht n’artikullin “Bazat e bashkëpunimit, ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Ai ishte kategorikisht kundër atyre që mendonin se për të larguar konfliktet fetare, që mund te lindnin, duhet, me të butë e me të fortë, të shuhen besimet fetare në Shqipëri. Më 1921-1924, qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike, luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë, nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Tërë jetën, Luigj Gurakuqit i dogji shpirti e i dhimbte zemra, për padrejtësinë që iu bë kombit tonë, duke ia ndarë trupin për gjysmë. I qëndroi besnik deri në fund të jetës idealit, për të parë një ditë të bashkuar rreth tokës amtare, gjithë vëllezërit e kombit.
Ai ankohej se: “Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset më të çmueshme t’atdheut, duke na lënë si një trup pa kokë”. Tingëllojnë të freskëta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik, që ndiqnin shovinistët serbë: “Qeveria jugosllave, nuk do të ndalet para asnjë mjeti”,- deklaronte ai,- “për t’i nderrue fytyrën Kosovës”. Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav, fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre, për interesat e veta e të aleatëve të tyre. Luigj Gurakuqi ishte partizan, për të ndihmuar e për t’u dalur zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme, të shtetit shqiptar.
Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte vetëm në atë, se ata ishin shqiptar e, donin të mbeteshin shqiptar. Ndër fjalimet më të forta të Gurakuqit në parlament, janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave në një telegram, e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj, interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim, do të merrte fjalën e do të thoshte:
“Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave), e cila ka mbjell viset tona me varre të vllazenve tonë, se po i përzihemi në punët e brendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thane, se po i përzihemi në punët e brendshme, kur shohim se për shkak të saj, me mijëra fëmijë e gra, sillen të zhveshur e të zbathur këtu nëpër Tiranë e, ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave, nuk ka të drejtë për të na akuzuar për një gjë të tillë, kur parlamenti shqiptar, kërkonte vetëm në emër të njerëzisë e humanizmit, të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve”.
Mori pjesë gjallërisht në ‘Revolucionin demokratiko-borgjez’ të Qershorit 1924, duke qenë një nga frymëzuesit e udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli, u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës, krahas Nolit, më 1924.
Kur në Parlament, Ali Këlcyra, i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet; “Z. Ali Këlcyra, më tha si për qortim se jam liberal. I falemnderit dhe mund të jetë i sigurt zotnia e tij, se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”. Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se; nuk është as revolucionar as; bolshevik e; as socialist, koncepte këto që në vitet ’20-të, ishin të barasvlershëm dhe kishin kuptimin e ndryshimeve me dhunë, me forcën e armëve, me kryengritje. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore te problemeve, neper mes ligjeve, zgjidhjeve; “me drejtësi e në mënyrë të butë”.
Si i tillë, ishte kundër futjes së popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte mbi rolin e ligjit, dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen e zgjidhjen me dhunë të problemeve, Gurakuqi u përfshi në Revolucionin e 1924-ës, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë. “Gurakuqi u tërhoq (në revolucion), pas një kundërshtimi të fortë. Mund ta dëshmojnë, se u ndodhën në Vlorë”, – shkruante Stavro Vinjau.
Ndër kujtimet e Át Anton Harapit, tregohet se sapo po përgatiteshin për nxjerrjen e numrit të ri të gazetës “Ora Maleve”, një telegram nga Vlora, i njoftonte mbi nisjen e Revolucionit, pasi Padër Harapi e pyeti, se ç’kishte ngjarë, Gurakuqi i ishte përgjigjur; “Na kánë fik’ Padër Anton: qé, e kanë fillue revolucionin atje në Vlonë, deputetët tonë… pra âsht’ e kotë të kjahena: duhet të jena solidar me shokët, çou ta fillojmë edhe na”.
Qëndrimin e mësipërm të Luigj Gurakuqit, Padër Anton Harapi e përforcon më poshtë: “Ditën e largimit nga Shqipnia, pyetjes; sesi falimentuet kështu dhe po e leni Shqipninë, Gurakuqi i skuqun, duke iu marrë goja, me buzë të shtrengueme, përgjigjet: ‘Padër Anton, na skredituen (diskredituan) tepër keqas, na kanë deklarue komunista, n’opinion t’Europs”. Padër Anton Harapi, nxjerr konkluzionin se; Gurakuqi për besë e për burrni, qe i zoti të vepronte edhe kundër bindjes së vet. Sidoqoftë, ky është një nga ato momentet, kur Luigj Gurakuqi, e ka lënë “vijën e mesme të tij”.
Pas shtypjes së ‘Revolucionit të Qershorit’, shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925, u vra në Bari prej Baltjon Stamollës, në derë të Hotel “Cavour”, thuhet se kushëri i Çatin Saraçit, por vende vende, cilësohet si kushëri i vetë Luigjit. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy shokë të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten, Makbule dhe vëllai i tij, Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre, duke i paraqitur arsyen: “Do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes s’tij”. N’organizimin e këtij atentanti, kishin dorë, si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi, dëftuar kjo nga letra nisur nga vrasësi që kërkon ndihmë:
“Kërkoj mbrojtje, dërgoni të holla, ndërmjetësoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin, ku asht…? “besa” ndihma!… Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie, Bari.
Shkelqësis Tij, Ahmet Zogu Tirana (Albania)
Shkelqësis Tij, Ceno Beg Jakova (Gjakovë)
Çatin Saraçit, Hotel de la Ville…”.
Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qet’ Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim, me përparimin e Shqipnies”.
Në formimin filozofik botëkuptimor, Luigj Gurakuqi ishte idealist objektiv. Ai mbante qëndrime liberale ndaj fesë e, praktikave fetare, qëndronte larg çdo fanatizmi fetar. Por Luigj Gurakuqi, nuk ka qenë as afetar. Ai pranonte ekzistencën e Zotit si krijues i gjithësisë. Sipas tij, “Zoti është qënie që s’ka as fillim e as mbarim, se asgjë nuk mund të krahasohet me të, se:
“…qielli e toka, fushat e gjana,
Malet e nalta, detrat e medhana,
T’gjitha prej Zotit paten krijim,
Qi s’di mase me vedi, fill as mbarim”!
Është ky Zot i plotfuqishëm, tek i cili Gurakuqi ka shpresë dhe besim, se do të marrë në dorë fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, se do të bekojë punët e tyre e, do t’u plotësojë dëshirën për liri e pavarësi. Dialektika e zhvillimit është ndër anët më racionale të idealizmit objektiv. L uigj Gurakuqi e pranonte parimin e zhvillimit të botës, të natyrës, të shoqërisë e të shpirtit njerëzor, se çdo gjë në botë “ndërron pa pra”, se “bota është si një rrotë, që sillet pa rreshtur” dhe se “vetëm fatalistët e krymbûn, trêmben prej përparimit…kontendohen (kënaqen) me ndêj gjithmonë në një shtet (gjendje) t’gurt e, t’pa jetë”.
Ndonëse nuk ishte fetar dhe mbante qëndrime liberale ndaj praktikave fetare, Gurakuqi e vlerësonte rolin e fesë për jetën individuale dhe të shoqërisë. Sipas F. Nolit, “qëndronte aq larg fanatizmës fetare të ngushtë, sa muhamedanët e Veriut, kishin një besim të pakufishëm, aq sa në Gegëri, s’ka patur një tjetër udhëheqës, i cili bashkonte rreth vetes së tij, katolikët e muhamedanët gegë. Ai ka qenë aq pak regjionalist, sa që kur lindi çështja kombëtare, s’ka patur një gege patriot, aq të dashur midis toskëve, sa Gurakuqi”.
Gurakuqi gjatë gjithë jetës së tij, pati marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë ata drejtues të komuniteteve fetare, që luftonin për një Shqipëri të lirë. Me 26 shtator 1913, Abati i Mirditës, i dërgon telegram në Vlonë, Gurakuqit, Ministër i Arsimit të Qeverisë së Përkohshme, ku i shkruan: “Të lutem epi zemën Komisionit të meetingu-t të Vlonës e, shtrëngoi dorën Kryetarit të Qeveries së pertashme, për bashkim e të lidhun bese që kena me ta, në të gjitha punt e mbara për ngallnimin e lulzimin e Shqypenies. Sot âsht dita me kqyr edhe Shqypetarët kundershtarë, si vllazën e me mndyra vllaznore, me i avit nga mprojtja e Atdheut, nen hije t’Ismail Qemal Begut e, t’atyne burrave qi njohin e nderojnë flamurin e Shqypenies. Uroj shndêt e jetê e, faqe të bardhë, të gjithë atyne Shqypetarëve, qi me vepra urtie, bese e dashunie, diftohen të dênjë per kujdes t’Europes, e cila mundohet me e mkâmb e, me e burrnue Atdheun tonë”.
Levizja patriotike e demokratike, arsimore e kulturore, i dhanë personalitetit të Luigj Gurakuqit, peshën e përmasave mbarëkombëtare, e bënë atë një figurë tepër autoritare e të besueshme, edhe ndër punët më të vështira e më delicate, për fatet e atdheut. Luigj Gurakuqi, i dhá gjithçka kësaj levizjeje: tërë forcat e veta fizike dhe mendore, i fali rininë, gëzimet e jetës, shpirtin e gjakun e vet. Ai ishte gati të luftojë e të vritet, jo vetëm për Shkodrën, që ai shumë e desh, por edhe për çdo cep të dheut, që i thonë Shqipëri. Nga Parisi, në dhjetor të vitit 1919, kur rrezikohej fati i Gjirokastrës, i shkruante Myfit Libohovës; “Jam gati, po të jetë nevoja e, të shihet e udhës, që të vij edhe të vritem për Gjinokastrën, e për nderin e atdheut”.
Luigj Gurakuqi ka meritën se është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes sonë kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit tonë. Thelbin e qëndrimit të tij në këtë fushë, e përbën ideja se; nuk duhen mohuar të parët, paraardhesit, sepse përndryshe nuk do jemi shqiptar, s’kemi kujt t’i shkojmë mbrapa e prej kujt tjetër të frymzohemi. Duke propaganduar me zjarr traditat e popullit tonë ai kishte një synim të qartë: Shqiptarët të njohin vlerat e veta, të njohin e çmojnë vlerat e gjakut të tyre. Gurakuqi u përpoq për të dhënë një pamje sa më realiste të Shqipërisë.
Prandaj ai vinte në dukje edhe të metat e gabimet e shqiptarëve, duke u bërë thirrje për t’i luftuar e ndrequr ato. Veçanërisht i shqetësuar, ka qenë për zakonin e gjakmarrjes. E dënonte ate si një akt të demshem dhe si mjet të nxitjes nga të huajt të përçarjes në popullin shqiptar. Si krijues Gurakuqi, pati marrdhënje të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta, Luigj Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtes, Prenk Doçit, Hilë Mosit e, Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit, i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime. Ashtu si Filip Shiroka, Hilë Mosi, vazhdon ta quajë “bylbyl në tingëllimin”, që i kushton; “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij veprën, “Pika e voeset”.
Nën’ô moj, mbaj zí për vllanë,
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nën’ ô moj, të ra dëshmór.
Nën’ ô moj, vajtó merr malin,
Nën’ ô moj, m’a qaj në Vlorë
Shpirt’ i bardhë si dëborë,
Ti s’i dhé as varr për hór.
Nën’ ô moj, ç’është përpjekur
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn vdekur