Oslo- Policia norvegjeze po kërkon një person të zhdukur për shkak të minicelularëve pagers (biperave), në shpërthimet e Hezbollahut javën e kaluar.

Urdhër-arresti ndërkombëtar lëshuar për Rinson Jose, i cili u zhduk gjatë një udhëtimi pune në SHBA javën e kaluar.

I dyshuari që ka humbur gjurmët është një shtetas norvegjez, me origjinë indiane, që besohet se ka lidhje me shitjen e pajisjeve elektronike të komunikimit, grupit militant libanez Hezbollah, pas të cilave dyshohet se ishin tre kompani fiktive apo “guaskë” të ngritura nga Izraeli.

Rinson Jose, 39 vjeç, themeluesi i një kompanie bullgare, që supozohet se është pjesë e zinxhirit të furnizimit, mësohet se u zhduk gjatë një udhëtimi pune në SHBA javën e kaluar, shkruan “The Guardian”.

Ditën e sotme (26 Shtator), policia e Oslos tha:

“Dje, distrikti policor i Oslos mori një raport për personin e zhdukur në lidhje me rastin e pagersave. Është hapur një rast për persona të zhdukur dhe ne kemi lëshuar një fletë-arresti ndërkombëtar për personin”.

Jose nuk pranoi të komentonte mbi pajisjet, kur u kontaktua nga “Reuters” më 18 shtator dhe e mbylli telefonin pasi u pyet për biznesin bullgar. Më pas ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të shumta.

Procesi i prodhimit të kontrolluar nga fronti izraelit, është dhe shpjegimi më i mundshëm për sulmet ndaj Hezbollahut.

Punëdhënësi i tij, “DN Media Group”, tha se Jose, i cili punon në departamentin e shitjeve të kompanisë norvegjeze të medias, u nis për një konferencë në Boston më 17 shtator dhe që nga e nesërmja kompania nuk kishte të mundur të kontaktonte me të.

Sipas regjistrit të korporatave të Bullgarisë, Jose themeloi “Norta Global Ltd”, me qendër në kryeqytetin, Sofje, në vitin 2022.

Autoritetet bullgare kanë hetuar rolin e kompanisë në furnizimin e pagerëve, por nuk gjetën prova se ato ishin prodhuar ose eksportuar nga Bullgaria.

“Jose është një shtetas norvegjez dhe ka lindur në një vend tjetër”, njoftoi transmetuesi NRK.

Sulmet çuan në vdekjen e 12 personave, duke përfshirë dy fëmijë dhe plagosën deri në 2,800 të tjerë. Një ditë më pas, 25 njerëz u vranë dhe më shumë se 450 u plagosën kur radiot e komunikimit (të njohura edhe si walkie-talkie) shpërthyen në supermarketet libaneze, në funerale dhe në rrugë.

Të dyja kompanitë mëmë të pajisjeve, në Tajvan dhe Japoni respektivisht, mohuan se ishin ato prodhueset dhe shitëset e mjeteve elektronike të komunikimit te Hezbollah.