Nga Aladin Stafa
Nëse do të analizojmë pritshmëritë për të ardhmen, do të duhet si fillim të vëzhgojme me kujdes pasojat që vijnë prej vendimarrësve të sotëm. Ata që na qeverisin. Ndaj dhe duke u nisur nga konteksti i sotëm global, krizat që vijnë prej kësaj mund të jenë socio-ekonomike apo dhe historiko-kulturore. Shpesh herë të përshkallëzuara duke shkaktuar regres për njerëzimin.
Edhe pse eventualisht tek ne mund të përfytyrohet një imazh artificial prej zhvillimit gjigand të teknologjise, se progresi po ndodh, në shumë vende sidomos ato në zhvillim realiteti duket se është i përkundërt.
Tek të pasurit një plan, i cfarëdollojshëm të jetë mbështetet dhe celësi i suksesit apo projekti i vetëm që të con para. Ndjekja me rigorozitet e tij në rrjedhën logjike të kohës do të na udhëhiqte padyshim drejt arritjeve të objektivave pavarësisht ndërhyrjes së faktorëve të jashtëm.
E ku më mirë se në politikë mund të gjejmë një shembull të tillë?
Cdo qeveri e cdo vendi harton padyshim një plan për t’u përballur me sfida të ndryshme; luftrat dhe inflacioni janë dy komponentët që bashkëshoqërojnë njëri- tjetrin sot për sot. Siç ishte pandemia disa vite më parë.
Jo vetëm kaq por vendet në zhvillim së fundmi kanë shfaqur dhe ambicjen për të kthyer rishtas në vend diasporën e më konkretisht `trurin´ që gjatë dekadave të fundit e kanë humbur atë masivisht.
Procesi i ikjes prej vendit tënd për të gjetur mundësi më të mira diku tjetër është sa i dhimbshëm aq edhe progresiv. Shumica e të rinjve pretendojnë që diturinë ta zhvillojnë në një vend ku merita të mund t’i njehsohet në prestigj por edhe në monetizim financiar. Duhet të pohojmë se ky fenomen po bëhet i zakonshëm dhe duket se do të ketë një impakt për të ardhmen bazuar mbi potencialin që ofrohet. Si nga vendi që po e humbet por edhe nga ai që po e përthith.
Por cilat janë arsyet që i detyrojnë të rinjtë kryesisht të lënë vendet e tyre?
Një nga cështjet më të diskutuara është mundësia për një pagesë më të lartë bazuar mbi meritokracinë, atë që në vendet ballkanike si Shqipëria nuk e gjen lehtë.
Pra, ekonomia. Potenciali ekonomik që vendet e perëndimit zotërojnë nuk kanë të krahasuar me vendet në zhvillim. Ndaj kjo është arsyeja që ato sa vijnë e bëhen më atraktive për të thithur njerëz të kualifikuar nga profesione të ndryshme.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është dhe cilësia e jetës, në aspektin e ndotjes dhe të sigurisë që ato ofrojnë. Thënë kjo, faktori ekonomiko-social duket se luan një rol të rëndësishëm në nënvetëdijen e njeriut që shpesh herë i detyron ata të marrin vendime që ndonjëherë cojnë drejt një aventure krejt të panjohur.
Një prej vështirësive së pari duket se është përballja me një shoqëri, kulturë dhe gjuhë të re, një sfidë që nuk është aspak e lehtë ndërsa vendet që braktisen prej tyre vazhdojnë të vuajnë humbjen konstante të kapitalit human dhe talentit, duke krijuar një gropë të madhe që duhet ndoshta një brez i tërë të zëvendësohet.
Të rinjtë janë të parët që priren për t’u larguar, diku prej humbjes së shpresës e diku prej shpirtit të tyre të kërkimit për arritje cilësore. Një ikje që po i plak shoqëritë në rajon dhe po e ngadalson zhvillimin e tyre.
Ikin më të mirët, thuhet kudo. Dhe me më të mirët janë guximtarët, inisiatorët e cdo sipërmarrje personale, mendimi kritik dhe vullnetarët e punës që do t’i shërbenin vendit për të kontribuar me gjithë potencialin e tyre fizik e mendor.
Ndërsa vendet e zhvilluara do të përfitonin nga gjithë kjo situatë e krijuar pasi së pari do ju vlente të nxisnin konkurencën mes vendasve, të zhvillonin ekonominë dhe prej këtej të zgjeronin kulturën e tyre. Kjo e fundit, një betejë jo si të tjerat, ashtu në heshtje por që gjithsesi për shkak të krizave dhe konflikteve në botë po ashpërsohet ndjeshëm.
Ndaj është dukshëm e kuptueshme se për t’u përballur me fluksin e lëvizjeve në këtë proces globalizimi, vendet në zhvillim por dhe ato të zhvilluara do të duhet të bashkëpunojnë për të krijuar kushtet e nevojshme për të arritur një stabilitet ekonomik e social. Politikat e brendshme, së bashku me partneritetin që vjen nga jashtë duhet të synojë rritjen e standardit të jetesës duke reduktuar korrupsionin, krimin, ndotjen dhe rritjen e meritokracisë.
Aspiratat e njerzve për zhvillim dhe përmirësim të jetës së tyre nuk mungojnë por mekanizmat e ngadaltë të klasës politike ndër vite kanë kapërcyer atë që mund ta quajmë, vijën e fundit të durimit.
Koha kalon shpejt dhe pritjes se një ditë do bëhet më mirë duket se i ka ardhur fundi. Gjithkush duhet ta ndjejë se të kënaqurit me pak nuk është më pjesë e një mendësie tek brezi i ri.
Rendi i ri synon prognoza dhe ambicje të reja.