Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë informuar aleatët e tyre se Irani ka dërguar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt Rusisë, për të ndihmuar Moskën në luftën e tyre kundër Ukrainës.

Lajmi është raportuar në mediat ndërkombëtare të cilat citojnë dy persona që punojnë për inteligjencën amerikane.

Deri më tani nuk dihet sasia e armëve dhe raketave balistike që Irani ka dërguar drejt Rusisë, por sipas zyrtarëve të lartë në Washington diçka e tillë ka ndodhur.

Dy zyrtarët e lartë të inteligjencës Amerikane kanë folur në kushtet e anonimatit për mediat ndërkombëtare, pasi çështja nuk është bërë publike zyrtarisht. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të konfirmojë dërgimin e armëve, por përsëriti shqetësimin se Irani po thellon mbështetjen ndaj Rusisë. Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Iranin prej muajsh që të mos transferojë raketa balistike në Rusi.

Drejtori i CIA-s, William Burns, i cili ishte në Londër të shtunën për një paraqitje të përbashkët me homologun e tij të zbulimit britanik, paralajmëroi për marrëdhëniet në rritje dhe “shqetësuese” të mbrojtjes që përfshijnë Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, të cilat sipas tij kërcënojnë Ukrainën dhe aleatët perëndimorë në Lindjen e Mesme.

Dergimi i Raketave Balistike nga Irani në Rusi vjen në një kohë që Ukraina po vijon ofensivën e saj ushtarake në Kurs dhe Belgorod, në atë që është pushtimi më i madh i territorit rus që prej Luftës se Dytë Botërore.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, po u kërkon me këmbëngulje aleatëve që të lejojnë vendin e tij të përdorë raketa të dërguara nga perëndimi për të goditur thellë brenda Rusisë dhe për të goditur zonat nga ku Moska ndërmerr sulmet ajrore.