Izraeli ka vijuar bombardimet me intensitet në të dy frontet në Gaza dhe kryesisht në Libanin Jugor, objektivin e ri pas nisjes së luftës me Hezbollah.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat mesditën e sotme (23 Shtator), duke saktësuar edhe një herë numrin e të vdekurve nga sulmet izraelite: 182 të vdekur dhe mbi 700 të plagosur (por shifrat mund të ndryshojnë përsëri), shkruan “La Repubblica”.
Që nga mëngjesi i sotëm, Forcat Ajrore izraelite kanë goditur më shumë se 300 objektiva të Hezbollahut në Liban. Kjo është raportuar nga Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF), të cituar nga “The Times of Israel”.
Së bashku me përditësimin, IDF publikoi një imazh të Shefit të Shtabit, Herzi Halevi, duke miratuar valën e sulmeve ajrore nga dhoma e komandës nëntokësore të ushtrisë në selinë e Forcave izraelite në Tel Aviv.
Mediat libaneze raportuan se 2 fëmijë janë mes të vdekurve në Libanin Jugor, në Tibnin, si dhe më shumë se 26 të tjerë u plagosën. Lajmi është bërë i ditur nga media libaneze “Al Mayadeen”.
Kryeministri libanez reagoi ashpër pas bombardimeve, duke e quajtur edhe “lufta e shfarosjes së Izraelit!”.
“Agresioni izraelit kundër Libanit është një luftë shfarosjeje dhe një plan për të shkatërruar fshatrat dhe qytetet libaneze”, tha Najib Mikati, sipas raportimit të faqes online të gazetës libaneze “An-Nahar”.
Mikati u bëri thirrje “Kombeve të Bashkuara dhe Asamblesë së Përgjithshme dhe vendeve me ndikim, që të pengojnë agresionin (izraelit)”.