Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku përmenden personazhe të krimit të organizuar.
Bëhet fjalë për mesazhe të dërguara nga përdoruesi “Mbreti Zog”, anonim, ku i dërgohen me print-script dy dokumente në telefon Bardhit dhe poshtë saj emrat e dy personazheve: Ervis Martinajt, i zhdukur pa gjurmë prej 8 Gushtit 2022 dhe Erigers Mihasit, i vrarë në një atentat tre vite më parë. Më poshtë edhe teksti i shkurtër “Të jesh mirë!”.
Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, janë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”,- thotë Bardhi në letrën drejtuar SPAK-ut.
Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar.
“Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre”, thuhet në letrën drejtuar SPAK.